Kryeministri i vendit, Edi Rama i cili së bashku me ministren e Arsimit, Evis Kushi pasditen e sotme zhvilloi një takim me mësuesit në Tiranë lidhur me pagat e tyre.

Rama bëri me dije se qeveria ka vendosur të bëjë një rritje të ndjeshme të pagave, e cila është vendosur duke u bazuar te fakti që i kanë tani mundësitë.

Rama: Nuk i kemi pasur më parë mundësitë, jo se nuk kemi dashur. Kategoria juaj ka qenë gjithmonë në vëmendje. Por në fund të ditës nuk është vetëm cështje dëshire, por edhe mundësie.

Rama theksoi se është e rëndësishme që paga minimale të shtyjë edhe sektorin privat. Kur paga minimale rritet, duhet bërë gjithë korrektimi. Ai shpjegoi se kanë bërë një plan me dy hapa, i cili do të nisë tani dhe do të mbyllet vitin e ardhshëm.

Rama: Do të bëjmë rritjen 7% dhe pastaj në hapin tjetër, nuk është një premtim, por plan financiar, vitin e ardhshëm paga juaj do të kapërcejë në një tjetër nivel. Nëse sot që flasim rritja mujore do të jetë 3500 lekë për mësuesit e 9-vjecarej, 3800 për mësuesit e shkollës së mesme, te rritja e përgjithshme, mësuesit në shkollat 9-vjecare do kenë një pagë 95550 lekë. Ata në shkollën e mesme do kenë një pagë 106 mijë lekë.