Kryeministri Rama zhvilloi dje një takim informal në zyrën e tij me kryeministrin e ardhshëm të Kosovës, Albin Kurti. Lideri i Vetëvendosjes mbërriti në Kryeministri në këmbë dhe pa shoqërues. Takimi i nisur në orën 18 e 30 ka zgjatur për disa orë.

Në fokus mësohet se kanë qenë disa çështje që lidhen me bashkëpunimin në të ardhmen të dy qeverive, por edhe nisma për krijimin e një mini Shengeni Ballkanik, për të cilin liderët e rajonit do të mblidhen sërish në Ohër më 10 nëntor.

Një prej temave mësohet se ka qenë propozimi i Kryeministrit Rama për emërimin nga të dy vendet të ministrave të Shtetit për bashkëpunimin Shqipëri-Kosovë dhe projektet e përbashkëta.