Kryeministri Edi Rama prezantoi sot kandidatët e Partisë Socialiste për zgjedhjet e 11 majit në Shkodër, duke bërë thirrje për mbështetje ndaj PS-së si një hap kyç për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Gjatë fjalës së tij, Rama theksoi rëndësinë e këtij procesi, duke argumentuar se anëtarësimi në BE do të sjellë përfitime të mëdha ekonomike për vendin.
“A mund të diskutohet më se çfarë duhet votuar dhe si duhet votuar më 11 maj? Kjo është koha e duhur dhe ky është vendi i duhur. Në 11 maj shkëputemi nga historia qindra vjeçare e të qenit vetëm dhe bëhemi pjesë e familjes evropiane”, u shpreh Rama.
Ai theksoi se integrimi në BE do t’i sigurojë Shqipërisë fonde më të mëdha, duke bërë një krahasim me ndihmën financiare që vendi ka marrë deri më tani. “Në 10 vitet e fundit kemi marrë mbi 1 miliard euro nga BE, kryesisht si kredi. Me anëtarësimin, do të marrim më shumë se 1 miliard euro në vit, ku 90% do të jenë grante dhe vetëm 10% kredi”, deklaroi ai.