Socialistët shfaqen më të sigurtë në fitoren e 2013-s. Pas Tiranës, Lushnjës dhe Elbasanit, manifesti “Unë jam FRESSH” është ndalur edhe në Durrës duke mbledhur të rinj të qytetit dhe të të gjitha zonave përreth. Entuziazëm dhe bindje në fitore. Kjo ka qenë atmosfera e krijuar gjatë prezantimit të projektit rinor në Durrës. “Ne do ta bëjmë Edi Ramën kryeministër në vitin 2013, falë jush.”- tha gjatë takimit kryebashkiaku Vangjush Dako.
Për Ramën si kryeministër i ardhshëm i vendit ka folur edhe sekretari për rininë dhe emigracionin në Partinë Socialiste, Erion Veliaj. Duke iu drejtuar pjesëmarrësve ai tha se vitin e ardhshëm me Edi Ramën kryeministër, rinia shqiptare do të jetë prioritet. Për Veliajn, pjesëmarrja e kaq shumë të rinjve në çdo cep të vendit e bën Partinë Socialiste jo vetëm partinë më të madhe në vend, por edhe me moshën më të re dhe me PS-në në pushtet, të rinjve iu premtua se do të shohin të realizuara ëndrrat dhe shpresat e tyre.
Ndërkaq udhëheqësi i socialistëve Edi Rama u bëri thirrje të rinjve që të jenë aktivë në politikë dhe të mos lejojnë politikën e padenjë të shtrembërojë dhe shëmtojë vendin dhe jetët njerëzore:
“Kjo zonë nga bregdeti deri në malin e Skënderbeut është nga pjesët më të bukura të Shqipërisë, por nga ana tjetër i takon mbase dhe në radhë të parë gjeneratës suaj, që mos lejojë që kjo pjesë e mrekullueshme e Shqipërisë të shkatërrohet dhe të shëmtohet dita ditës nga një politikë e verbër ndaj bukurisë së vendit tonë. Nga një politike e shurdhët ndaj zërit që buron prej historisë së vendit tonë dhe që është amaneti që të parët na lanë”.
Në takimin me të rinjtë socialistë, por edhe simpatizantë të rinj të partisë, kryetarja e FRESSH Elisa Spiropali shprehu gjithashtu sigurinë në fitoren e socialistëve në zgjedhjet e vitit 2013. “Ne jemi FRESSH, sepse nuk ulim kokën. Ne jemi FRESSH sepse do sjellim ndryshimin në 2013 me Edi Ramën dhe Partinë Socialiste”- tha ajo.
Sipas PS-së, “Unë jam FRESSH” është një projekt interaktiv, me shumë dimensione, ku veç bashkimit të çdo të reje e të riu që kërkon ndryshimin, mishëron edhe vullnetin, ambicien dhe shpresën për të jetuar në një Shqipëri më të mirë. Pas Durrësit, ky projekt do të vijojë të shtrihet në të gjithë rrethet e vendit.





