Tiranë, 21 prill 2014 – Kryeministri Edi Rama prezantoi sot paketën ndihmëse për industrinë e përpunimit aktiv, që siç tha ai, çel një kapitull të ri për industrinë dhe punësimin në vend. Kryeministri theksoi se hapi i parë i zhvillimit të paketës ka qenë mbledhja e opinioneve nga vetë grupet e interesit. Kryeministri shprehu bindjen se me këtë paketë, Shqipëria vendoset zyrtarisht në hartën e prodhuesve për tregun evropian.

“Kemi shumë kërkesa nga Italia në mënyrë të posaçme, por dhe nga vende të tjera, për të ardhur dhe për të investuar në këtë sektor. Por jemi të vetëdijshëm që potencialin e zgjerimit të kësaj industrie dhe rritjes së punësimit nga kjo industri e kemi këtu midis jush.”– u shpreh kryeministri Rama. 

Rama theksoi se qeveria e konsideron biznesin fason si një partner strategjik për rritjen e punësimit. Lidhur me trajtimin e firove, kryeministri tha se do të bëhen ndërhyrje në Kodin Doganor, në mënyrë që siç tha ai, industria të përfitojë trajtimin e kërkuar prej kohësh. 

“Jemi në një diskutim të brendshëm për të gjithë industritë lidhur me mënyrën se si do të trajtohen firot. Në kodin e ri doganor kjo është një çështje e zgjidhur. Por kodi i ri doganor do të hyjë në fuqi në 1 janar 2015, por ne mendojmë se s’ka kohë për të pritur për biznesin fason, dhe kështu do të bëjmë një ndërhyrje në kodin ekzistues për të trajtuar çështjen e mbetjeve dhe të firove. Do të përfitoni nga një trajtim krejt tjetër i mbetjeve gjë që e keni kërkuar prej kohësh”, – deklaroi Rama. 

Ministri i Zhvillimit Ekonomik Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj gjatë prezantimit të paketës së lehtësirave për biznesin fason, tha se ajo do shmangë abuzimet. Ahmetaj tha se nuk do ketë më vonesa në rimbursimin e TVSH për bizneset, sidomos atë fason.

“Tashmë rimbursimi jepet direkt nëse industria është me risk zero ose të ulët, brenda 30 ditësh në rastet e eksportit dhe brenda 60 ditëve në rastet normale të punës”,- tha ai. 

PAKETA NDIHMËSE PËR INDUSTRINË E PËRPUNIMIT AKTIV

Sipas kryeministrit, kjo paketë është reflektim i një modeli të ri për ekonominë e vendit, i cili ndryshon kryekëput nga modeli i mëparshëm që bazohej tek reminitancat, borxhi publik dhe industritë si ndërtimi etj. 

Bazat kryesore të këtij modeli janë prodhimi vendas, investimet e huaja të drejtpërdrejta dhe kthimi në eficencë i ekonomisë për të siguruar një zhvillim normal të ekonomisë dhe bizneseve bazuar mbi partneritetin qeveri-sipërmarrje. 

Masat e kësaj pakete synojnë një përmirësim të dukshëm cilësor, si nga ana e rritjes së eksporteve, duke synuar një rritje me më shumë se 80 % në eksporte, brenda tre viteve,(pra në 900 milionë euro eksporte). 

Janë marrë në konsideratë 46 masa e propozime, disa nga të cilat janë implementuar ndërkohë, si kalimi i VKM nr. 54, që akordon kontratën me vlerën 1 euro për impiantet e përpunimit aktiv, një masë kjo që do të kursejë mesatarisht 2,5 milionë dollarë qira për sipërmarrësit; 

Po ashtu ka një fokus të madh të paketës në lidhje me punësimin, me anë të një sërë masash që synojnë ta çojnë numrin e të punësuarve të deklaruar nga 28 mijë në 100 mijë për tre vjet. Fondi i punësimit për industrinë e përpunimit në fund të këtij viti do të jetë 5 milionë dollarë. 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/