Kryeministri Rama, së bashku me Ministrin e Brendshëm Bledi Çuçi dhe Ministrin e Drejtësisë Ulsi Manja zhvilluan një takim në Akademinë e Sigurisë për të ndarë me punonjësit e strukturave përkatëse të policisë së shtetit dhe të burgjeve.

Kryeministri Rama shpjegoi se rritja e pagave do të realizohet në dy etapa, në harkun e një viti, nga ku do të përfitojnë 12, 120 punonjës të Policisë së Shtetit dhe Gardës së Republikës, si dhe 3,566 punonjës të sistemit të Policisë së Burgjeve.

Sot jemi në kushtet kur siç thashë, mund ta bëjmë këtë rritje të konsiderueshme të pagave. Ju, jam i bindur, keni dëgjuar për sektorët e tjerë dhe rritja do të bëhet me dy hapa, do të zbatohet një pjesë tani dhe një pjesë si sot një vit, pra në harkun e një viti.

Në vitin e parë, pra rritja e menjëhershme e pagës për ju që jeni në këtë sistem nga ku do të përfitojnë 12120 punonjës të Policisë së Shtetit dhe Gardës së Republikës, si dhe 3566 punonjës të sistemit të Policisë së Burgjeve do jetë pak a shumë si vijon. Kini parasysh dhe ju e dini shumë mirë, që paga e çdo niveli nuk është njësoj për të gjithë në atë nivel sepse ka vjetërsi pune ka dhe disa kushte të tjera. Gjithsesi unë po flas këtu për pagën e nivelit.

Pra, sot paga e drejtuesit madhor është 139 375 lekë dhe bëhet sot, me 48 125 shtesë mujore, shkon në 187 500 lekë. Për drejtuesin më poshtë drejtuesit madhor shtohet me 24 125 dhe bëhet 137 500, për komisarin shtohen 21 mijë lekë, gjithmonë me të reja, pra 211 mijë lekë në këtë rast dhe shkon 112 500. Për inspektorin e parë shtohet edhe këtu, me 20 445 dhe shkon në 97 500.

Ndërsa për Burgjet, drejtuesi madhor sot e ka 138 375, shkon në 187 500, drejtuesi më poshtë e ka 112 e shkon 137 mijë lekë. Komisari e ka 83 mijë lekë e shkon në 112 mijë lekë dhe inspektori i parë e ka 71 000 lekë e shkon në 97 500 lekë.

Këtu futemi në sistemin e krahasueshmërisë me Forcat e Armatosura, që praktikisht balancohet gjithë sistemi i sigurisë në Shqipëri në kushtet që flasim.

Po ashtu, kemi dhe rritjen e pagës për gratë, për punonjësit e PMNZH-ve, nga ku do të përfitojnë 1181 punonjës. Edhe këtu, drejtuesi zjarrfikës shkon në 125 mijë, inspektori zjarrfikës shkon në 90 mijë, zjarrfikësi shkon në 80 mijë dhe asistent zjarrfikësi shkon në 75 mijë.

Të gjitha këto rritje janë rritje mesatarisht prej 20 mijë lekësh të reja në muaj.

Pastaj vazhdojmë me vitin e dytë, pra, me hapin e dytë po themi, brenda një viti, për të gjitha kategoritë e mësipërme që kanë një rritje tjetër dhe në finale rritja në vlerë e pagës për të gjithë sistemin përsëri do jetë sipas kategorive, nga 49 125 deri në 16 500. Pra niveli i ulët do të rritet me 165 mijë lekë në muaj.

Në finale besoj që do kemi paga dinjitoze, komplet të krahasueshme me rajonin. Jam i bindur që do të motivoheni më shumë, do keni shumë më tepër mundësi për të kontribuar në shtëpitë tuaja dhe për të lehtësuar ekonominë e shtëpive tuaja dhe sigurisht që kjo rritje historike nuk është, uroj dhe besoj, e fundit. Në vijim, me rritjen e mundësive gjithmonë, se nuk ka kryeministër në botë, edhe më i keqi, që nuk do të rrisë pagat.

Ju falenderoj për gjithë punën që keni bërë dhe bëni. Ju uroj çdo të mirë në familjet tuaja dhe jam i bindur që sot do keni buzëqeshje në familje për këtë rritje dhe besoj shumë që forcat e Policisë, forcat e sistemit të Burgjeve, forcat e Zjarrfikëseve, siç kanë qenë gjithmonë një pikë referimi, do jetë një pikë referimi edhe më e fortë për shoqërinë, për ne, për të ardhmen, sigurinë dhe begatinë e vendit”, tha Rama.