Kryeministri Edi Rama gjatë prezantimit të portalit të transparencës ‘u-transparenca.al’ për universitetet tha se është koha që këto institucione të orientohen drejt tregut.
Shefi i qeverisë pohoi se ky portal do të jetë një hapësirë, ku transparenca buxhetore dhe financiare e universiteteve, por jo vetëm, do të jenë të aksesueshme nga të gjithë duke u krijuar edhe mundësinë që të japin përshtypjet, kritikat apo sugjerimet.
“Pika më delikate e çdo organizate që shpenzon dhe që është buxheti do të publikohet në të gjithë elementët si atë vjetor edhe atë afatmesëm. Të gjitha informacionet e portalit kanë një vlerë tjetër, sepse nuk janë statistika të vdekura, por janë të dhëna që lidhen me jetën aktive të universitetit dhe të studentëve. Portali ka informacione të hollësishme mbi programet e shkëmbimit studentor së bashku me procedurat, mbi programet apo edhe bursat, kuotat e parashikuara. Universitetet të krijojnë subjekte fitimprurëse”, tha Rama.
Gjithashtu Rama u ndal edhe në investimet te baza materiale në universitet, mjetet didaktike dhe laboratorike, ndërsa tha se procesi i punësimit të studentëve do të vijojë me një fazë të dytë, ku të gjithë ata që kanë mbaruar me rezultate të mira do të kenë një punë në administratë.
Kryeministri mes tjerash theksoi se qeveria po punon dhe shumë shpejt do të implementojë kartën e studentit, duke nisur fillimisht në bashkinë e Tiranës dhe për ta shtrirë pastaj në të gjithë vendin.





