TIRANE, 23 shkurt 2013– Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama në përfundim të ditës së dytë të konventës së programit falënderoi ata që sipas tij prezantuan vetëm themelet e këtij dokumenti pasi ai është shumë më i gjërë. “Falenderoj nga zemra të gjithë ata që një nga një morën këtu fjalën. Personalitete të spikatura të fuqisë sonë të ndryshimit. Ende më shumë mirënjohës për ata njerëz të zakonshëm që erdhën dhe morën fjalën në emër të qindra mijëra të tjerëve që janë pa zë e për të cilët askush përveç nesh nuk e ka një vesh për ti dëgjuar”, u shpreh Rama.
Sipas tij, bashkëbisedimin dje e nisi me një pyetje në çfarë Shqipërie duam të jetojmë, një Shqipëri të vërtetë apo të gënjeshtërt. “Sot ne jemi të imponuar të jetojmë në një Shqipëri të gënjeshtërt, sot duam ta zhbëjmë këtë imponim dhe tu japim mundësi shqiptarëve të jetojnë në një Shqipëri të vërtetë”, tha Rama.
Duam të jetojmë, vijoi ai, në një Shqipëri të lirë apo të trembur? “Sot jetojmë në një Shqipëri të trembur por duam që me votën e 23 qershorit çdo shqiptar i majtë apo i djathtë, socialist apo demokrat, në veri apo në jug të jetojë në një Shqipëri të lirë e pa ju frikur mendimeve të veta”, insistoi Rama.