Sot, kur data shënon 14 shkurt, dhe përkon me festën e dashurisë Shën Valentinin, kryeministri Edi Rama do të jetë në Durrës për t’u takuar me banorët e zonës historike të qytetit, shtëpitë dhe bizneset e të cilëve rrezikojnë të shemben për t’i hapur rrugë implementimit të projektit TID.
Takimi është parashikuar të mbahet në institucionin e qeverisjes vendore paraditen e sotme, ndërkohë që mbrëmjen e së premtes, banorët janë kontaktuar nga bashkia për t’u njoftuar se kreu i qeverisë do ulej në një takim me ta.
“DurrësLajm” mëson se në takim secila nga familjet e prekura nga ky projekt (mbi 80) do të përfaqësohet nga një anëtar i saj.
Nuk dihet ende se ku do të përqendrohet diskutimi i Ramës me banorët, që protestojnë prej disa muajsh, por sipas disa zërave, të pakonfirmuar zyrtarisht, autoritetet po mendojnë ndërtimin e një pallati, ku do të sistemohen familjet që preken nga projekti i Ministrisë së Kulturës, bashkisë dhe AADF-së.
Lidhur me takimin e sotëm të Ramës në bashki ka reaguar mëngjesin e sotëm edhe kreu i PD Durrës, Ardian Muka, i cili, përmes një postimi në rrjete sociale lajmëron se “Opozita kerkon ngritjen e komisionit hetimor per projektin rehabilitues te zones TID ne keshillin bashkiak ,Rama vrapon ne takim me banoret ne Durres!!!”.





