Qendra shëndetësore nr.6, në lagjen nr.13 në Plazh tashmë është gati për t'u kthyer në një qendër shërbimi 24 orë gjatë sezonit turistik si dhe t’iu shërbejë 19 banorëve të zonës.
Lajmi është dhënë nga kryeministri Edi Rama përmes një postimi në Facebook, i cili ka publikuar një video gjatë vizitës në këtë qendër shëndetësore në Durrës, i shoqëruar nga ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, deputetët socialistë, Klodjana Spahiu dhe Roland Xhelilaj, prefekti i qarkut Roland Nasto, drejtoresha spitalit rajonal Nadire Jani etj.
“Është dhe mbetet prioritet për ne, edhe në kuadër të 100 qendrave të reja që do të kemi këtë vit, rehabilitimi dhe sistemimi i të gjithë qendrave shëndetësore që i shërbejnë edhe sezonit turistik”, tha Manastirliu.
Ndërsa deputetja Klodjana Spahiu, njëkohësisht mjeke, në fjalën e saj u ndal edhe te ndryshimi i ri në Kodin Penal përsa i përket mbrotjes së bluzave të bardha nga dhuna.
“Sot mendoj që bashkëpunimi pacient-mjek-familjar do të jetë krejt më ndryshe, sepse gjithmonë ne jemi për përmirësimin e sistemit por njëkohësisht për mbrojten e figurës së bluzave të bardha, mbi të gjitha dhe për një shërbim sa më të mirë të pacientit”, tha ajo.
“Qendra e re shëndetësore që u jep shërbim 19 mijë banorëve të zonës dhe është gati për t'u kthyer në një qendër shërbimi 24 orë gjatë sezonit turistik”, shkruan Rama krahas videos.





