31 tetor 2015 – Në një konferencë të gjatë prej rreth tri orësh ku u prezantua bilanci i dy muajve aksion të nisur nga qeveria kundër informalitetit në biznese, kryeministri Edi Rama shprehu vendosmërinë se masat shtrënguese, si burgu dhe gjobat e larta janë e vetmja zgjidhje për evazorët e mëdhenj fiskal.
Por nga ana tjetër, shefi i qeverisë dha një lajm të mirë për të gjitha bizneset e vogla me qarkullim deri në 2 milionë lekë dhe të gjithë zanatçinjtë, siç janë zejtarët, bojaxhinjtë, elektricistët, hidraulikët, këpucarët, berberët, e të tjerë. Nga sot nuk ata do të paguajnë taksë vjetore.
"Për të gjithë ata që janë biznes i vogël, me qarkullim deri në 20 milionë lekë (të vjetra) dhe që janë të vetëpunësuar e ofrojnë shërbime apo produkte, ku ajo që ofrojnë është e krijuar nga puna e tyre, domethene të gjithë zejtarët, bojaxhi, elektricist, hidraulik, këpucar, berber, llamarinist, teneqepunues, biçikletarregullues, flokëtrajtues, nuk do të paguajnë më asgjë, vetëm duhet të jenë të regjistruar si persona fizikë. Deri sot paguanin 250 mijë lekë në vit, nuk do të paguajnë më. Zero! Për ne, janë njerëzit më të nevojshëm, janë njerëz që kanë zanat dhe me zanatin e tyre ushqejnë familjen. Ne duam ta stimulojmë më tutje fuqizimin e këtij rrjeti zanatçinjsh që i mungon Shqipërisë", tha Rama.
/portali DurresLajm/