TIRANË, 26 shkurt 2013- Kryesocialisti Rama gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të PS-së, akuzoi qeverinë dhe veçanërisht kryeministrin Berisha se nuk ka marrë asnjë masë, për të luftuar krimin, ndërkohë që tre komisarë janë vrarë, siç tha Rama. 

“Dy ditë me parë pak pas vrasjes së komisarit Dritan Lamaj kryeministri lëshoi në rrjetet sociale një teknologji për rrjetin 3G, ndërsa dje dha shfaqjen e radhës para grupit të PD-së duke sharë opozitën. U bënë kohë që qeveria bën opozitën e opozitës, sulmon idetë tona, pastaj i kopjon,  por nuk i zbaton se është një qeveri që s’bën më asgjë”, tha Rama. 

Duke folur për kryeministrin, Rama shtoi se, “Saliu është bërë si futbollist që shkon pas këmbëve dhe jo pas topit”. 

Rama nënvizoi edhe njëherë se, ‘Policia sot është e pambrojtur dhe e tradhtuar, armët janë kudo, 45% e nxënësve janë përfshirë në një konflikt me armë sipas rezultatit të një anketimi”, tha Rama më tej. 

Sipas kreut të PS-së nuk është marrë asnjë masë për të mbrojtur policinë, pasi siç shtoi ai  “shqetësimi i pushtetit opozita dhe jo krimi”. 

Ai propozoi ndër të tjera, që deputetët e majtë në Komisionin e Ligjeve të propozojnë një paketë të fortë ligjesh kundër armëve dhe krimit në përgjithësi.