Gjatë komunikimit që kryeministri Rama pati sot me mediat u shpreh se lista e Partisë Socialiste është lista e vetëndryshimit, ndërsa theksoi se skuadra e Partisë Demokratike është zhgënjyese dhe se nuk ka dhënë maksimumin e saj, duke e konsideruar kreun e PD, Lulzim Basha një lider pa karakter.
Gjithashtu teksa u ndal tek kandidatët e PD-së, ai u shpreh se me skuadrën e prezantuar, kjo parti e ka të pamundur të fitojë, pasi sipas Ramës nuk kanë një qëllim final, ndërsa tha: “Qytetarët e Tiranës duhet të zgjedhin mes 2 pensionistëve, Luljeta Bozos dhe Sali Berishës”.
“Të dalë nga shtëpia që të votojë një skuadër ku kapiteni është Sali Berisha dhe ku janë në radhë një në dy fosilet e Shqipërisë, Fatmir Mediu, Shpëtim Idrizi, Vangjel Dule dhe natyrisht Desdemona Mesila Doda…Dash Shehi… dhe me këto emra që thash mbaroi gjysma e skuadrës…Është e pabesueshme, një skuadër e futur për të mbajt njërin që të mos dehet në stol… Kjo është alternativa e Shqipërisë? Me këtë fiton Shqipëria? Me Fatmir Mediun?…Një skuadër katastrofë, qytetarët e Tiranës kanë mundësi të zgjedhin midis dy pensionistëve Luljeta Bozon dhe Sali Berishën. Dhe do të zgjedhin Saliun? Kjo është e reja që sjell PD”, tha më tej Rama, duke shtuar se për çfarë do t’i përfaqësojë ai pensionistët “që t’i marrë dhe të djegin palma”.





