Tiranë, 30 korrik 2014 – Mbledhja e fundit e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste ka pasur në fokus pikërisht sjelljen e 4 deputetëve socialistë, të cilët nuk morën pjesë në seancën e kaluar, duke çuar në mosmiratimin e ligjeve që kërkojnë 84 vota.
Gjatë mbledhjes me dyer të mbyllura, kreu i PS, Edi Rama, lajmëroi se deri në shtator do të përgatitet dhe miratohet një deklaratë me rregulla të qarta për çdo deputet, në mënyrë që të mos thyhet vendimi i grupit siç ndodhi javën e shkuar, raporton Vizion Plus.
Gjithashtu Rama ka lajmëruar se 4 ministrat, Bushati, Gjiknuri, Tahiri dhe Cani duhet të lënë mandatin e deputetit brenda kësaj jave, pasi të gjithë ministrat e tjerë e kanë dorëzuar tashmë. Por pas largimit të kryeministrit Rama, mbledhja ka vazhduar nën drejtimin e kreut të grupit Gramoz Ruçi dhe objekt debati ka qenë pikërisht Garda e Republikës, nëse do të shkrihet apo jo.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





