Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se qeveria do të nisë brenda vitit të ardhshëm vendosjen e matësave inteligjentë të energjisë elektrike për të gjithë konsumatorët, një projekt që pritet të përfundojë brenda këtij mandati.
Sipas tij, sistemi i ri i matjes inteligjente do të ulë ndjeshëm humbjet teknike në rrjet dhe do të përmirësojë procesin e faturimit të energjisë elektrike.
“Sot kemi këtë inovacion, ndërkohë që brenda vitit 2026 do të kemi fillimin e punës për matësat e energjisë duke kaluar në sistemin e matësave inteligjentë. Brenda këtij mandati do ta përmbyllim edhe këtë proces, që do të ulë nivelin e humbjeve teknike në rrjet dhe do të rrisë cilësinë e faturimit për çdo konsumator“, deklaroi Rama gjatë fjalës së tij në prezantimin e projektit “OSHEE Charge” lidhur me karikimin e mjeteve elektrike.





