Kryeministri Edi Rama gjatë komunikimit të përjavshëm në podkastin “Flasim” pohoi se lufta kundër informalitetit në sektorin e ndërtimit po jep rezultate konkrete, duke reflektuar rritje të ndjeshme të pagave dhe kontributeve shoqërore e shëndetësore.
Teska iu referua deklaratës së Ministrit të Financave, Rama nënvizoi se falë qasjes aktive të ministrisë dhe autoriteteve tatimore, po parandalohet goditja e padrejtë e familjeve të punonjësve në ndërtim nga informaliteti.
Sipas Kryeministrit, të dhënat tregojnë një përmirësim të dukshëm në fondin e pagave dhe kontributeve në këtë sektor.
Po ashtu, Rama theksoi se është ulur ndjeshëm numri i pagave të deklaruara në fashën 500 euro, ndërkohë që është rritur numri i pagave mbi 700 dhe mbi 1 mijë euro, me një rritje deri në 18%.
“Një tjetër adresim i javës ishte adresimi që u bë nga Ministri i Financës dhe e sjell këtu sepse ka një subjekt me rëndësi, subjektin e informalitetit në ndërtim. Dhe faktikisht jemi në një proces, ku shohim përmirësime të vazhdueshme, falë qasjes aktive të Ministrisë së Financave dhe të autoriteteve tatimore për të mos lejuar që informaliteti të godasë në mënyrën më të padrejtë familjet e atyre që punojnë në sektorin e ndërtimit.
Dhe kemi të reflektuar në fondin e pagave, të kontributeve shoqërore dhe shëndetësore në sektorin e ndërtimit, një rritje domethënëse. Një rritje domethënëse që do të thotë një deklarim shumë më real të pagave pasi administrata tatimore dërgoi rreth 15 mijë mesazhe të personalizuara, të cilat dhanë si efekt që për rreth 18 mijë të punësuar, fondi i pagave u rrit me 9%, ndërsa kontributet me 4%.
Po ashtu, ulja e numrit të pagave në fashën e 500 eurove është domethënëse, ashtu siç është rritur ndjeshëm numri i pagave mbi 700 dhe mbi 1 mijë euro, një rritje deri në 18 %, si dhe paga mbi 1200 euro me një rritje mbi 10%.
Këto janë tregues të qartë, jo vetëm të faktit që pagat janë rritur ndjeshëm, por mbi të gjitha të faktit se edhe ekonomia informale po ulet ndjeshëm”, theksoi Rama.





