Nga Lutfi Dervishi
27nentor 2015 – Burime të afërta me kreun e qeverisë shqiptare konfirmuan sot se së shpejti pritet një vizitë e papritur e kryeministrit Rama në Shqipëri! Burimet nuk konfirmojnë një datë të saktë, kjo edhe për shkak të rritjes së tensionit mes Rusisë dhe Turqisë, por lanë të kuptohet se nëse nuk ka ndonjë krizë tjetër globale, me shumë gjasa vizita do të realizohet javën e parë të dhjetorit.
“Ajo që mund të thuhet me siguri është fakti se kryeministri nuk do të jetë i pranishëm në Tiranë, ditën e festës kombëtare dhe atë të çlirimit..- bëri të ditur transparenca.al
Pas kthimit nga Hong Kongu ku ekspozoi pikturat e bëra jashtë orarit zyrtar të punës, dhe një ndalese të shkurtër në Tiranë ku nisi aksionin shpjegues: të pastrojmë më tej Shqipërinë- zoti Rama hapi një ekspozitë tjetër mbresëlënëse në kryeqytetin turk Ankara.
“Duhet nënvizuar tha një prej zëdhënësve të kryeministrit se ekspozita në Turqi ishte më e rëndësishme edhe se ajo e hapur javë më parë në Gjermani”, pasi kryeministri shqiptar në Ankara në takimet me zyrtarët e lartë turq, mori garanci të forta se Turqia, vend mik dhe aleat, por edhe partner strategjik, do të tregojë vetëpërmbajtje në rast provokimi të hapësirës ajrore nga avionët rus.
Zhvillimet e fundit në lidhje me terrorizmin kanë zhvendosur axhendën e kryeministrit.
Pas Pekinit, stacioni radhës do të jetë Parisi ku do të zhvillohet normalisht samiti mbi klimën.
Zyra e shtypit e kryeministrit mohoi kategorikisht zërat se kryeministri është shkëputur nga realiteti.
Në shekullin e 21, është atavizëm të flasësh për vend ndodhjen fizike të kryeministrit. Ai mund të ndodhet njëkohësisht edhe në Pekin, edhe në Hong Kong, por edhe pranë zonave të përmbytura në Tiranë dhe Fier- tha një nga këshilltarët në kushtet e anonimatit.
Për të mbështetur argumentin e tij, këshilltari tregoi disa postime të kryeministrit shqiptar në Facebook dhe Twitter ku z. Rama thekson se jo vetëm popullata është paralajmëruar për përmbytje, por i janë dhënë alternative që të largohen me kohë nga shtëpitë.
“Në kushtet kur vendimet i marrin njerëz të moshës mbi 18 vjeç, është tërësisht në përgjegjësinë ligjore, morale, por edhe shoqërore e politike të kryefamiljarëve që të tregohen në lartësinë e situatës, të marrin përgjegjësitë dhe të zhvendosen në zona që nuk priten të përmbyten”
Ekipi i juristëve të qeverisë- nën kujdesin e posaçëm të kryeministrit, po përgatit padi penale në rast se qytetarët nuk largohen në kohë nga banesat e tyre”’
Diplomatët perëndimorë në Tiranë janë fokusuar te reforma në drejtësi dhe rezervohen të komentojnë udhëtimet e gjata me avion të kryeministrit. Por një diplomat veteran, vëzhgues i kujdesshëm i zhvillimeve në rajon – tha se ndoshta udhëtimet e në vende të gjata duhen parë edhe si përpjekje që po bën qeveria për të shkurtuar shpenzimet.
“Duke udhëtuar në destinacione si Hong Kong apo Kina, udhëtarët mbledhin më shumë milje (kilometra) dhe nëse arrijnë kuotën 30 mijë marrin një biletë falas!
Opendata, një organizatë jo qeveritare që merret me transparencën e shpenzimeve publike ende nuk konfirmon biletën falas, por askush në Tiranë nuk vë në dyshim se kryeministri udhëton për të kursyer dhe paratë e ekspozitave të pikturës i përdor për bamirësi.
Opozita ka paralajmëruar një protestë të madhe më datë 8 dhjetor për të rrëzuar qeverinë dhe për të ngritur një qeveri teknike. Por teknikisht opozita ka një problem për të zgjidhur.
“Si mund të rrëzojmë një njeri dy metra të gjatë, aq më tepër që nuk po e kapim dot se ai mbeti në qiell”, thotë i nervozuar një deputet i opozitës
Media opozitare ka paralajmëruar se do të nxjerrë në rrjetet sociale një video ku kryeministri thotë:
“Bota po bëhet interesante, Shqipëria e mërzitshme! Hallet e Shqipërisë janë blla blla blla. Njerëzit në një vrimë i bien fyellit: punë, kriza, azili, ekonomia! Jeta mor plak është tjetër gjë- nuk prodhohet adrenalinë me kërkesa për punë”
Stafi kryeministrit këmbëngul se pavarësisht zërave kritik zoti Rama ka edhe një rol si lider rajonal, apo global-sikundër e ka thënë homologu i tij serb Vuçiç.
Gjatë vizitës në Tiranë, kryeministri Rama pritet të takohet me zyrtarë të lartë të qeverisë, përfaqësues të pushtetit lokal dhe të klerit. Në përfundim të vizitës dy ditore kryeministri Rama do të japë një konferencë shtypi në Twitter! /syri.net/