Pa u mbushur 72 orë nga vizita e fundit në qytetin e Durrësit, kryeministri Edi Rama mbërrin sërish, por këtë radhë në takim me personelin shëndetësor të qytetit. Burime të sigurta nga PS-ja në Durrës bënë me dije për “DurrësLajm” se shefi i ekzekutivit mbërrin në Durrës së bashku me ministrin e shumë përfolur të Shëndetësisë Ilir Beqaj, për të prezantuar recetën elektronike.

“Ky është një projekt pilot që do të nisë në 18 Qendrat Shëndetësore të Durrësit dhe në 80 farmaci në sistem, dhe përfitues do të jenë rreth 300 mijë banorë të Durrësit. Avantazhi kryesor i recetës elektronike është rritja e transparencës dhe shmangia e abuzimeve me recetat e rimbursueshme”, ka pohuar më herët drejtori i Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor Astrit Beci.  

Në fundjavë, kryeministri Rama pati një takim me strukturat e PS-së për zgjedhjet që priten të zhvillohen brenda partisë më të madhe në pushtet.

K.H.