Edhe këtë të diel pushimi Edi Rama e ka kaluar në Vlorë.

Kryeministri ka postuar foton, ku shihet bashkë me bashkëshorten e tij, Lindën dhe djalin e vogël, Zahon, në shëtitoren e qytetit bregdetar.

Fotot nga Vlora janë të zakonshme në rrjetet e tij sociale (me hashtagun e përhershëm #beautifulVlora), pasi ai shpesh e ka kaluar fundjavën bashkë me familjen në jug të vendit.

Por jo kaq shpesh (për të mos thënë fare) e ka vizituar për pushim Durrësin, qytetin bregdetar që i dha më shumë vota në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.

Dilema e shumë kujt është ku do rrish në Vlorë apo Durrës, unë do rri aty ku do më duan më shumë”, thoshte në atë kohë Rama, përpara se të pranonte mandatin si deputet i qarkut të Durrësit.

Durrsakët i treguan asokohe se e donin më shumë, që mesa duket nuk qenka dashuri edhe aq reciproke!

Kryeministri, njëherësh deputet i qarkut Durrës, na ka vizituar në kohë fushate elektorale, kur xhironte video për ecurinë e procesit të rindërtimit, ose thënë shkurt: Për punë pune.

E ndërsa çdo sezon veror “mburret” me turizmin në Durrës dhe fton turistët ta vizitojnë, vetë kreu i qeverisë jep një shembull të gabuar.

Bëj siç them unë dhe jo si bëj unë”, thotë shprehja që i shkon përshtat rastit të Ramës, që do ishte mirë ta donte Durrësin, jo aq shumë sa në sezonin e rërës dhe detit, apo kur u kërkon qytetarëve votën, por aq pak sa ta vizitojë sikur vetëm një ditë një herë në vit për pushim.

Fundja, Durrësin rilindasit po e bëjnë po aq “beautiful” sa Vlora, apo jo?!

K.Gj.