VLORE, 26 maj 2013- Gjatë një takimi të zhvilluar sot në Vlorë, kryetari i PS-së, njëkohësisht kryesues i listës së kandidatëve socialistë në qarkun e Vlorës, u zotua përpara qytetarëve se pas 23 qershorit qeverisja e majtë do t’i japë fund, asaj që ai e cilësoi si braktisje dhe përbuzje të qeverisë ndaj këtij qarku.
“Zotohemi solemnisht papara jush se kjo braktisje që e turpëron qeverinë e Tiranës, kjo harresë qe e turpëron qeverinë e Tiranës, kjo përbuzje që e turpëron qeverinë e Tiranës. Braktisje, harresë dhe përbuzje që duket në çdo metër të lumit të Vlorës, të një historie të paharrueshme dhe të lavdishme, do të marrë fund në 23 qershor. Unë e di që këtu në këtë zonë, me shumë histori, me shumë burra e gra të mençur dhe punëtorë, nuk ka vetëm socialiste, por edhe familje që vijnë nga një histori e ndryshme dhe që besojnë tek e djathta. Atyre dy fjalë dua tu them, si ka mundësi që votoni akoma Saliun që ju ka kthyer kurrizin dhe ju ka lënë në një gropë nga ku nuk mund të dilni dot kurrë me Saliun, por vetëm me PS dhe me ne të gjithë”- u shpreh Rama.
Ndërsa rënditi premtimet e tij për mirëqënien, zhvillimin ekonomik dhe social të Vlorës, kryetari i PS-së ironizoi kryeministrin Berisha duke thënë se “përballë zotimeve të së majtës qëndrojnë muhabetet dhe përrallat që kreu i qeverisë tregon në televizion”.
“Po të jetë për muhabete dhe përralla hapni kanalet që japin Saliun dhe merrni dhe një gotë raki përpara e dëgjoni përrallat e Berishës. Këto janë zotime që burojnë nga besimi im i palëkundur se Vlora e historisë së lavdishme, mund dhe do të bëhet zona e një transformimi të lavdishëm, zona e mirëqenies, e punësimit, solidaritetit social dhe një modeli zhvillimi ekonomik dhe shoqëror që të bëhet shembull në rrugën e një Shqipërie të re që duhet t’i kthehet punës.”- deklaroi Rama.
Lideri i së majtës apeloi sot nga Vlora që demokratë e socialistë, të votojnë më 23 qershor për rilindjen e jo për rrënimin. Sipas kryesocialistit, qytetarët nuk duhet ta lidhin votën e tyre me besnikërinë qorre ndaj Partisë Demokratike.
Në përfundim Rama kërkoi besimin e vlonjatëve tek fjala e tij, për përmbushjen e çdo premtimi të bërë.
“Betohem para jush dhe dëshmorëve të këtij vendi, se unë Edi Rama, nuk do ta tradhëtoj kurrë Vlorën dhe qytetarët e këtij vendi, se do të jem këtu edhe pas 23 qershorit, për të kthyer fjalët në vepra e për t’i parë ëndrrat të kthehen në realitet për të gjithë socialistët dhe demokratët e Vlorës e gjithë Shqipërisë”, – tha Rama.
Valentina Leskaj: Vlorës i ka ardhur fati në derë, i ka ardhur Edi Rama
“Sali Berisha e rrënoi jo vetëm ekonomikisht Vlorën si gjithë Shqipërinë, por në fakt u përpoq ta zhbënte këtë zonë, ta zhbënte historinë e saj dhe historinë e Vlorës. Ta harrojë Berisha. Vlora është në këmbë dhe do jetë në këmbë në 23 qershor që është pika e kthesës. Sepse 23 qershori është kthesa e madhe në historinë e Shqipërisë. Vlora ka një fat. I ka ardhur fati në derë, ka ardhur Edi Rama deputet i Vlorës, që ta bëjë Vlorën, t’i japë dinjitetin që ka Vlora dhe populli i Vlorës, që të krijojë kushte. 3 gjëra kërkojnë njerëzit këtu, rrogë, ujë dhe energji elektrike se janë popull punëtor. Me Edi Ramën të jeni të sigurt se do t’i keni të gjitha këto”.





