TIRANE, 17 mars 2013– Ashtu sikurse ka bërë pothuajse çdo fundjavë, kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama ka prezantuar edhe sot një tjetër personalitet që i shtohet listës së kandidatëve të PS-së për deputetë në zgjedhjet e 23 qershorit.
Ish-guvernatori i Bankës së Shqipërisë Shkëlqim Cani, është prezantuar sot zyrtarisht nga kryesocialisti Rama si udhëheqës i ekipit të PS-së në Dibër. Rama e cilësoi Canin si një vlerë të shtuar morale dhe intelektuale për Partinë Socialiste.
“Kur e ftova të hyjë në politikën aktive, i shpreha zotimin tim personal se qeveria jonë do ta ndërtojë “Rrugën e Arbri, ndërsa unë i kërkova një kontribut të posaçëm për Bulqizën, si deputet dhe si ekonomist. Dhe kështu ramë dakord të punojmë së bashku. Shkëlqim Cani është një vlerë e shtuar morale dhe intelektuale për PS:- u shpreh Rama gjatë një konferencer për shtyp nga selia rozë.
Nga ana e tij, kandidati i ri i PS-së, Shkëlqim Cani tha se kjo është një sfidë e re për të, ndërsa shpalosi menjëherë edhe 3 shtyllat ku sipas tij, duhet përqëndruar puna në qarkun Dibrës, Rruga e Arbrit, bujqësia dhe minierat.
“Faleminderit kryetar për besimin dhe fjalët e mira, falënderoj dhe PS për besimin e ka tek unë për të me ngarkuar me këtë sfidë të re. Ne jetë kam patur sfidat e mia, një pjesë të së cilave i kam realizuar. Tashmë më pret një sfidë e re, si pjesë e ekipit të rilindjes”- deklaroi Cani..
Ndërkaq,në nisje të fjalës së tij, kreu i PS-së vlerësoi maksimalisht pritjen që iu bë PS-së gjatë prezantimit të programit në Bulqizë dhe Dibër. Ai tha se ishin dy ditë të shkëlqyera për shkak të mikpritjes, por edhe të rënda për shkak të përballjes me gjendjen e rëndë ekonomike dhe sociale të asaj zone.
Kryesocialisti e cilësoi veriun e vendit si zonën më të varfër të Shqipërisë, sipas tij për shkak të hilesë që PD-së i ka bërë kësaj zone. Kjo tha Rama, sepse për PD-në atje nuk jetojnë njerëz por vota.