Kryeministri Edi Rama ka dalë në një konferencë të jashtëzakonshme, ku ka folur në lidhje me krizën e re që i kanoset vendit, ajo e energjisë elektrike.
Duke iu drejtuar shqiptarëve, Rama tha se një tjetër krizë natyrore, e kombinuar edhe me politikat gjeopolitike dhe tregtare, po i farohet Shqipërisë. Kryeministri theksoi se kjo krizë nuk është as tërmet, as pandemi, por kriza energjitike.
Rama e ka quajtur krizën energjitike të ngjashme dhe po aq goditëse sa pandemia dhe tërmeti. Rama tha se në të gjithë botën po ndihen tashmë efektet e rritjes së çmimit të gazit dhe karburantëve.
“Të dashur bashkëqytetarë, vala e radhës po i vjen ekonomisë sonë, ka efekte shumë tronditëse mbi jetën e familjeve, kjo është kriza e jashtëzakonshme energjitike, e cila ka dhënë efektet e para në të gjithë botën”, tha Rama.
Ai shtoi se Qeveria do të bëjë çfarë është e mundur për të mbrojtur shtresat në nevojë, biznesin e vogël, por edhe familjet shqiptare me të ardhura të pakta.
Ndërsa shprehu bindjen se nga kjo krizë shqiptarët do të dalin edhe më të fortë, Rama tha se ashtu si nga tërmeti ashtu edhe nga pandemia, ne nuk do të rrëzohemi.





