Kryeministri Edi Rama ka bërë me dije në Ditën Ndërkombëtare të Arsimit, se viti 2024 shpallet viti i Gjuhës Shqipe.
Në një postim në “Facebook”, Rama ka publikuar një video të ministres së Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu. Ministrja shprehet se për qeverinë, investimi në arsim, mbetet prioritet.
“Sot është Dita Ndërkombëtare e Arsimit! Një ditë, e cila drejton vëmendjen tek rëndësia e edukimit si ura që përçon vlerat që bashkojnë kombet, që ushqen paqen dhe progresin mes vendeve. bInvestimi në arsim mbetet prioritet mbi prioritetet. Përmes arsimit, mundemi të rrisim zhvillimin ekonomik dhe social të vendit, të nxisim inovacionin dhe të mbështesim më tej kohezionin social. Arsimi qëndron në themel të progresit dhe në shkollat tona ne kemi të gjithë potencialin e duhur për të çuar vendin tonë përpara”, thotë në fjalën e saj Ministrja Manastirliu.
Për Vitin e Gjuhës Shqipe, Ministria e Arsimit dhe Sportit thotë se ka planifikuar një sërë aktivitetesh në rang kombëtar dhe mbarëkombëtar ku do të përfshihen të gjitha shkollat në vend por edhe në diasporë.
“Si Ministri e Arsimit dhe Sportit, kemi vendosur që viti 2024 të jetë një vit kushtuar gjuhës shqipe. Do të kemi një kalendar të pasur aktivitetesh, me nisma dhe projekte që do të fillojnë këtë vit dhe gjithashtu me projekte të cilat i finalizojmë së bashku në shkolla, universitete, brenda dhe jashtë vendit, si dhe me pjesëmarrjen e diasporës shqiptare në botë”, tha Manastirliu duke renditur aktivitetet më të rëndësishme të këtij viti kalendarik dedikuar, ruajtjes dhe pasurimit të gjuhës shqipe.
Aktivitetet do të kulmojnë me 22 Nëntor, në Ditën Kombëtare të Alfabetit Shqip.
“Do të kemi aktivitete promovuese në nëntor për Ditën e Alfabetit Shqip, e cila për herë të parë do të jetë festë zyrtare në vitin 2024, pra në këtë vit. Të mos harrojmë asnjëherë se, gjuha nuk është thjesht një mjet komunikimi por mbi të gjitha është një simbol i unitetit dhe fuqisë tonë ripërtëritëse si komb”, tha Manastirliu.