Kryeministri Edi Rama e ka nisur urimin e tij për një ditë të mbarë sot me pamjet nga nisja e punimeve për ndërtimin e Lungomares së re të Durrësit.
Sipas Ramës, ky është një investim me impakt të lartë ekonomik, i cili do t’i japë edhe më shumë vlerë të shtuar turizmit në qytetin bregdetar, një shëtitore spektakolare që do të fillojë nga ura e Dajlanit e deri te godina e Kavalishencës.
Në 3 kilometër vijë bregdetare, do të ketë gjelbërim, parqe dhe hapësira sportive.
Kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako në një intervistë të dhënë për “DurrësLajm” dy ditë më parë, tha se ky “Është një projekt që financohet nga qeveria shqiptare dhe do të fillojë nga zona e Kavalishencës deri tek Ura e Dajlanit në një shtrirje prej rreth 3 km. Faza e parë është financuar, është lidhur kontrata dhe në terren ne kemi grupet e punës, të cilët po bëjnë lirimet e shesheve”. Po ashtu kryebashkiakja shpjegoi se projekti “i shërben jo vetëm turizmit, por edhe banorëve që jetojnë gjatë gjithë vitit në zonën e plazhit, si dhe një numri të lartë hotelesh, që nuk janë sezonalë”.