TIRANE, 16 mars 2013– Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, 100 ditë para zgjedhjeve të 23 Qershorit, po lëviz çdo gur për të zgjeruar frontin opozitar. Kryesocialisti nuk po afron pranë koalicionit vetëm parti politike të majta apo të djathta, por është duke joshur grupe të ndryshme shoqërore për të maksimalizuar votat në zgjedhjet e 23 Qershorit.

Pasi mori një pjesë të ish të përndjekurve politikë, kryesocialisti i ka kthyer sytë tek pensionistët, ish-ushtarakët, minatorët etj. Kryetari i Shoqatës së ish-ushtarakëve, Mehdi Pogaçe, në një prononcim për gazetën “Sot”, deklaroi se do t’i bashkohet Partisë Socialiste në zgjedhjet parlamentare të 23 Qershorit. Pogaçe nënvizoi se PS do të mbështesë kërkesat e ish-ushtarakëve, të cilat qeveria aktuale i la në hije. Ai akuzoi politikën se është e lidhur me klanet mafioze, duke i bërë thirrje të heqë dorë për të ardhmen e vendit.

“Në statutin e shoqatës është përcaktuar qartë që të mbështesim një parti politike, e cila nga ana e saj mbështet ato probleme që ka shoqata jonë. Deri më tani, jemi në tratativa bashkëpunimi me Partinë Socialiste. Ne kemi interes që e majta të vijë në pushtet për të përkrahur problemet e ushtarakëve. Sa i përket krijimit të Polit të Tretë, Shqipërisë i duhet gjithçka për të ecur përpara. Duhet të mos ketë më një parti-shtet. Duhet të ketë koalicion partish që të marrin në dorë fatet e vendit. Por, gjithçka varet nga politika. Që vendi të ecë përpara, politika duhet të heqë dorë nga klanet mafioze”, u shpreh zoti Pogaçe.

Minatorët dhe pensionistët

Edhe kryetari i Sindikatës së Minatorëve, Fiqiri Xibri, do të mbështesë PS në zgjedhjet e 23 Qershorit. Xibri i ka bërë thirrje PS që në mënyrë kategorike të mos bëjë koalicion me LSI, pasi do jo vetëm do dëmtonte veten, por edhe qytetarët.“Partia Socialiste i bën dëm jo vetëm vetes por edhe vendit, nëse pranon në koalicion LSI. Çdo parti politike që do të bënte koalicion me LSI do të merrte zhulin e saj. Por, politika është ‘lavire’. Ky popull nuk ka nevojë për moral, por për mentalitet”, u shpreh Xibri.

Në koalicion me PS do të hyjë edhe Partia e Pensionistëve e kryesuar nga Selami Jenisheri. Jenisheri ka injoruar thirrjen e kryeministrit Berisha, njëkohësisht lideri i PD, për një koalicion të mundshëm me të djathtët. Grupi negociator i Partisë Demokratike, i ngritur posaçërisht për aleancat, pas negociatave pa rezultat me komunistët, ditë më parë, e ktheu vëmendjen tek partitë e tjera, konkretisht tek pensionistët. Kryeministri Berisha ftoi zyrtarisht Partinë Bashkimi Popullor i Pensionistëve të Shqipërisë, për t’u rreshtuar në koalicionin e PD në zgjedhjet e 2013. Më 20 mars, aleatët e PS do të shkojnë me një kërkesë të qartë, për t’u prezantuar denjësisht në strukturat dhe listat e ardhshme të kandidatëve për deputetë të 23 Qershorit. Aleatët tradicionalë të PS i janë bashkuar motos së përbashkët për rrëzimin e një herë përgjithmonë të Qeverisë Berisha.

Strategjia e fitores

Partia Socialiste ka miratuar një strategji elektorale për të fituar zgjedhjet e 2013. Në strategjinë e PS është parashikuar ngritjen e një grupi të posaçëm, kryesisht me drejtuesit e shtabeve elektorale. Këta persona kanë për detyrë të joshin, binin dhe motivojnë njerëz që kanë bojkotuar sistematikisht proceset zgjedhore të mëparshme. Sipas kësaj formule, për çdo qendër votimit, drejtuesit e shtabit elektoral, duhet të sigurojnë rreth 20 vota shtesë. Me këtë formulë selia rozë pretendon të marrë rreth 100 mijë vota ekstra.

/gazeta "SOT"/