Kryeministri, Edi Rama shtroi sot në mbrëmje në ambientet e oborrit të Kryeministrisë një iftar në nder të muajit të shenjtë të Ramazanit.
Duke uruar të gjithë besimtarët myslimanë për muajin e shenjtë të Ramazanit, kreu i qeverisë e ndali vëmendjen tek drejtësia, vetëm përmes së cilës, mund të ndërtohet një shtet solid.
“Sot, nuk jemi vetëm, pasi pavarësisht se si ka përfunduar ”martesa” e brishtë e Britanisë së Madhe me Bashkimin Evropian, për ne shqiptarët është fat i historisë të jemi sot bashkë me BE-në në rrugëtimin e mundimshëm për të ndërtuar një drejtësi të drejtë. Sepse për ne, për Shqipërinë rruga drejt BE-së nuk është rruga e një shteti solid, siç ishte Britania e Madhe kur ju bashkua Europës politike, por rruga e një populli që vetëm përmes drejtësisë mund të ndërtojë një shtet solid”- u shpreh Rama.
Më tej ai theksoi faktin se sot drejtësia jepet ose si barrë ose si privilegj. “Në thelb ky është dallimi mes Shqipërisë që ne kemi sot dhe asaj që mund të kemi nesër falë rrugës së mundimshme, por të vetmes rrugë drejt BE-së”. Dhe unë, hyj tek ata që besojnë sot se rruga në këtë rast është mishërimi i qëllimit tonë të madh për të patur edhe ne më në fund një shtet të vërtetë të së drejtës, pavarësisht si do të jetë fati i BE-së, çka nuk është në dorën tone”- tha Kryeministri.
Sipas tij, beteja për drejtësi të paanshme dhe gjykatës të drejtë ja vlen të çohet deri në fund, cilado qoftë sakrifica.
Në këtë iftar ishin të ftuar politikanë, krerët e besimeve fetare në vend, diplomatë, akademikë dhe njerëz të medias.





