TIRANE– Lideri socialist, Edi Rama ka zhvilluar ditën e sotme një diskutim të programit të PS-së për shëndetësinë me studentw të mjekësisë ku ka kërkuar një reformim të sistemit shëndetësor në tërësi, i cili sipas tij vuan të meta të mëdha të keqmenaxhimit, duke u bërë hapësira ku “bëhet rrjepja më e madhe e shtresës më të dobët të popullsisë”. Rama akuzoi qeverinë se përkundër propagandës politike, nuk ka bërë gjë tjetër veçse ka ulur financimin për Ministrinë e Shëndetësisë.

“Ambicia për të qenë mjek dhe jo kasap është një sfidë shumë e madhe, është hapësira ku zhvillohet rrjepja më e madhe e të imtave, që në shëndësi janë pjesa më e dobët e popullsisë shqiptare. Kryeministri tha se është 5-fishuar financimi për ISKSH. Në pamje të parë duket mrekulli, por është ulur financimi për Ministrinë e Shëndetësisë, pra kanë kaluar nga një xhep në tjetrin. Tek qytetari s’ka shkuar asgjë më shumë. Ministria e Shëndetësisë ka 2, 7 % të buxhetit të shtetit”, – tha Rama.

Më tej kreu i PS e cilësoi si të dështuar skema e financimit të kujdesit shëndetësore përmes sigurimeve, në bazë të të cilit shqiptarët vetëm nxjerrin para nga xhepat e tyre dhe nuk marrin kujdesin shëndetësor që u takon.

“Vitin e shkuar shqiptarët kanë shpenzuar 800 mln $ për shëndetin. Shqetësuese për ne është mënyra si financohet kujdesi shëndetësor në Shqipëri dhe si ndahet kontributi mes shtetit dhe qytetarit. Nëse Shqipëria që nga 1995 e ka ngritur sistemin shëndetësor nga kontributet sot në 100 lekë vetëm 7, 75 lekë vjen nga kontributet. Sistemi i kontributeve, skema e financimit të kujdesit shëndetësore përmes sigurimeve shëndetësore është e dështuar”, – deklaroi kryesocialisti.

Kreu socialist premtoi se me ardhjen në pushtet PS do të ngrejë një Shërbim Kombëtar Shëndetësor, një sistem të ri ku do të jetë shteti që do të blejë shërbimin për qytetarin.