10 dhjetor 2013- Është mbledhur pasditen e sotme Këshilli Ekonomik Kombëtar. Në fjalën e tij kryeministri Rama shprehet se qeveria ka marrë përsipër të rimëkëmbë ekonominë. Kreu i qeverisë, është shprehur se situata financiare e trashëguar nga qeveria e mëparshme ka ndikuar në gjendjen në të cilët ndodhet vendi.

“Para më pak se 100 ditës ne e morëm këtë përgjegjësi të lartë për të rimëkëmbur ekonominë dhe financat e vendit tonë. E dinim që rruga do të ishte e përpjetë, por fakti është që ajo është edhe më e përpjetë se sa e parashihnim. Trashëgojmë një situatë shqetësuese nga pikëpamja e ekuilibrit fiskal. Për ti sjellë në rregull librat e llogarive na duhet të rishikojmë sistemin tonë të taksimit. Duam një sistem taksimi të ndershëm dhe jemi të vetëdijshëm se sistemi ynë i taksimit duhet të bazohet në parimin e solidaritetit dhe të mos pengojë sipërmarrjen për tu rritur dhe as ekonominë për tu zhvilluar me prodhim dhe punësim.

Që në krye të herës kemi qenë shumë të qartë me partnerët tanë se do ti qëndrojmë deri në fund parimit tonë themelor se kush fiton më pak do paguajë më pak dhe kush fiton më shumë do të paguajë më shumë, do ketë ulje taksash për 95% të njerëzve. Do kërkojmë më shumë nga kompanitë, taksa e sheshtë për ne nuk përmbush as qëllimin për të cilin është vendosur dhe as qëllimin tonë për një sistem taksimi të ndershëm në kushtet kur duhet të përballemi me një mal me borxhe që duhet ta heqim nga rruga jonë dhe në kushtet kur duhet të konsolidojmë sistemin tonë të taksimit të ndershëm. Taksa 10% ka qenë një fasadë pas të cilës shumica e kompanive janë detyruar të paguajnë shumë më shumë qoftë për llogari të korrupsionit ashtu dhe paaftësisë së qeverisjes. Ajo që e zhvillon sipërmarrjen nuk është një taksë shumë e ulët në një mjedis si yni pa asnjë siguri juridike dhe garanci që mbron sipërmarrjen nga tentakulat e korrupsionit dhe abuzimit”, u shpreh Rama.