Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar një marrëzi situatën brenda Partisë Demokratike dhe “përplasjen” mes Lulzim Bashës dhe Sali Berishës.

Në një konferencë për mediat, Rama deklaroi se Basha është vetëm njëra anë e medaljes së kësaj marrëzie që po e çon partinë e tij drejt një fundi të merituar.

Sipas kreut të qeverisë, të dy figurat politike të demokratëve, e kanë shkatërruar partinë e tyre, duke krijuar vetëm mite fitoresh të rreme, trazira përmes protestave dhe rrëmuja që e kanë dëmtuar këtë vend.

Është një nga dy anët e një marrëzie që po e çon PD-në drejt një fundi të merituar për shkak se është një fund i përgatitur me vite. Jo nga unë dhe as nga ju e ata shqiptarë që e votojnë dhe e mbështesin. E mbështesin si tifozë të një skuadre futbollit. Është shkatërruar nga këto dy figura që janë shëmbëlltyra e gjithë asaj që është përgatitur me këmbënguljen e verbër në përsëritjen e të njëjtës gjë, në kërkim të kotë të rezultateve të tjera.

Një forcë politike që nuk ka prodhuar asgjë tjetër përveçse mite fitoresh të vjedhura dhe sherre që kanë afektuar vendin, rrëmujave që kanë dëmtuar vendin, në një përpjekje për tu rikthyer në pushtet pa pasur asnjë kapacitet real për të qeverisur. Thënë gjitha këto, për mua është shumë e qartë, s’kam asnjë punë me asnjë prej tyre. Janë dy burra me një hall të madh. Hallin e tyre e kanë kthyer në hallin e partisë së tyre dhe të mbështetësve të tyre. Përsa më takon, nuk mund të bëj parashikimet dhe nuk mund të parathem se çfarë do të sjellë e ardhmja, skam asnjë arsye, përpos dëshirës që jo dhe jo, për tu marrë me asnjë prej tyre.“,- tha Rama.

Kryeministri Rama thotë se nuk do të merret më me përplasjen mes Berishës dhe Bashës. Ai deklaron se do të ndryshojë dhe fokusin e politikës së tij dhe kabinetit të tij qeveritar përballë kampit opozitar.