TIRANE, 12 shkurt 2013– Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama gjatë një tryeze “Gratë dhe shëndetësia” tha se shërbimi i sotëm shëndetësor është tërësisht i padrejtë. Sipas tij skema nuk duhet të bazohet tek sistemi i sigurimeve, por tek parimi që shëndeti është një e mirë publike dhe jo mall, dhe për këtë të mirë publike garant do të bëhet shteti.
Ai tha se do të krijohet agjencia e Shërbimi Kombëtar Shëndetësor, pasi skema e sigurimeve ka falimentuar. Sipas kreut socialist, ndërsa në një vit në Shqipëri shpenzohen 800 milionë dollarë për kujdes shëndetësor, vetëm 7% vijnë nga sigurimet.
“Sot ne kemi ardhur në një moment kur dallimi midis nesh dhe atyre që qeverisin është dramatik. Sepse është një dallim në filozofi dhe në botëkuptim për shoqërinë që duam. Për ta, shëndetësia është mall, dhe si çdo mall duhet të blihet, për ne është e mirë publike, dhe si çdo e mirë publike duhet të financohet. Janë dy rrugë tërësisht të ndryshme, kur njerëzit duhet të zgjedhin se cilën nga rrugët parapëlqejnë për të ardhmen.”- tha Rama.