TIRANE, 19 qershor 2013 – Kreu socialist Edi Rama u ka bërë thirrje edhe emigrantëve që jetojnë e punojnë në Greqi, që të vijnë e të votojnë PS-në, në 23 qershor. Që nga dita e djeshme në televizionin grek “Mega” është shfaqur një spot, ku kryetari socialist, Edi Rama fton emigrantët të votojnë për partinë që ai drejton. Ende nuk dihet sa ka paguar Partia Socialiste për transmetimin e këtij spoti në Greqi.
“Ne jemi krenarë për kombin tonë! Jemi krenarë për emrin tonë, shqiptarë! Por sot Shqipëria është në hall. Kriminaliteti ka marrë kot. Drejtësi nuk ka! Varfëria është ulur këmbëkryq mes nesh. 2 në 3 të rinj janë të papunë, 1 në 2 15-vjeçarë nuk di shkrim dhe këndim”, janë fjalët e hyrjes së spotit elektoral.
“Prandaj, nisuni të dashur bashkatdhetarë që të jeni këtu në 23 qershor, për t’u dhënë një dorë njerëzve dhe vendit tuaj që të mos keni më pushtetin në qafë, por një qeveri të re në krah. Për të rimëkëmbur ekonominë, bujqësinë dhe blegtorinë, arsimin dhe shëndetësinë, nisuni për të votuar Partinë Socialiste për Shqipërinë Europiane për Rilindjen që duam”, ky është i gjithë teksti i spotit elektoral, sponsorizuar nga Partia Socialiste e Shqipërisë, për t’u kërkuar emigrantëve të marrin pjesë në votime.
Ndërkaq, përgatitjet e PS-së për 23 qershorin kanë nisur më herët se kaq. Ka pasur organizim për të transportuar emigrantët ditën e 23 qershorit vajtje–ardhje, Greqi-Shqipëri. Ndërsa nuk kanë munguar edhe takimet e drejtuesve të PS-së drejt Greqisë dhe Italisë.
TEKSTI I FTESËS PUBLIKE DREJTUAR EMIGRANTËVE NE TELEVIZIONIN GREK “MEGA”
Ne jemi krenarë për kombin tonë! Jemi krenarë për emrin tonë shqiptarë! Por sot Shqipëria është në hall. Kriminaliteti ka marrë kot. Drejtësi nuk ka! Varfëria është ulur kembëkryq mes nesh. 2 në 3 të rinj janë të papunë, 1 në 2 15 vjeçarë nuk di shkrim dhe këndim. Prandaj, nisuni të dashur bashkatdhetarë që të jeni këtu në 23 qershor, për t’i dhënë një dorë njerëzve dhe vendit tuaj që të mos keni më pushtetin në qafë, por një qeveri të re në krah. Për të rimëkëmbur ekonominë, bujqësinë dhe blegtorinë, arsimin dhe shëndetësinë, nisuni për të votuar Partinë Socialiste për Shqipërinë Europiane për Rilindjen që duam.
/BW/





