Kryetari i Socialistëve Edi Rama e nisi hapjen zyrtare të fushatës elektorale, me krahasimin e të dy kampeve në daljen e sotme. Ai komentoi vonesën e kryetarit të PD Basha, ndërsa foli për një dhëndër i cili vonohet 1 orë.
“Me makina dhe me dasmorë që kanë vënë përpara një dhëndër i cili vonohet 1 orë, merrni me mend çfarë mund të presësh nga dikush që lë 1 orë në të ftohtë njerëzit që mbledh vetë. Natyrisht po flinte gjumë, se çuditërisht takimin e la në orën pesë”, tha Rama.
Duke ju referuar faktit që në fushatën e demokratëve u vërejtën grumbullime, Rama tha ndër të tjera se atje, partia është edhe mbi shëndetin e njerëzve.
“Sonte, ne dhe ata u kemi vënë njerëzve dy kartolina, në një ekran televizori të ndarë. Dhe mjafton të shohësh dy kartolinat për të kuptuar edhe pa dëgjuar shumë, hendekun e jashtëzakonshëm që ndan ne dhe ata, në mënyrën tonë të të qenit dhe në marrëdhënien tonë me njerëzit dhe me shtetin. Këtu ka respekt për shtetin, ka respekt për ligjin, për rregullat që i kemi vënë të gjithë së bashku dhe të gjithë së bashku i kemi pranuar dhe që mbi të gjitha njerëzit e zakonshëm të këtij vendi, i kanë zbatuar ditë për ditë. Ndërkohë që atje nuk ka respekt për shtetin, për ligjin, për rregullat, për njerëzit. Kjo është fytyra e fushatës sonë, fytyra e fushatës së tyre është krejt tjetër”, tha Rama.