Kryeministri Edi Rama në ditën e e Krishtlindjes ka zhvilluar një vizitë në shtëpinë e re të Ilir Koçit në Marikaj. Nga një shtëpi në gjendje të mjeruar, familja Koçi u transferua në një vilë me të gjitha kushtet, ndërsa të lumturuar nga ky ndryshim në jetën e tyre, ata e cilësuan si dhuratën  më të madhe që kishin marrë.

Rama, teksa u drejtua fëmijëve të familjes, tha se e vetmja mënyrë për të larë ‘borxhin’ ishin notat e mira në shkollë.

“Qiraja paguhet me 10-ta. Çdo 10 lan borxhin, borxhin e ke ndaj prindërve, jo ndaj meje. Çfarë do fusësh në kokë sot do kesh nesër. Nuk janë të shumta familjet në gjendjen që ishin ju, por sidoqoftë janë kudo. Ne i kemi regjistruar dhe do i ndihmojmë pak nga pak”, tha Rama.

Ndërsa krahas videos së publikuar në “Facebook”, shkruan edhe një shprehje të Mahatma Gandhi: “Lumturia ndodh kur çfarë mendon, çfarë thua dhe çfarë bën, janë në harmoni”.