Kryeministri Edi Rama iu ka bërë thirrje sipërmarrjeve që të rrisin pagat për punonjësit e tyre dhe të mos i shfrytëzojnë kapitalet njerëzore.
Në një takim me biznesin e madh, Rama u shpreh se sot bizneset private po përballen me mungesën e burimeve njerëzore dhe ky është një shqetësim që duhet të marrë zgjidhje.
“Jemi në një udhëkryq shumë delikat dhe më në fund vetë sipërmarrja po e shikon gropën që i ka hapur vetes vit pas viti duke bërë atë që bëri ai, që tha në fund sapo e mësova gomarin pa ngrënë më ngordhi. Tani sipërmarrja po shikon që lufta për ruajtjen e burimeve njerëzore i ka hyrë brenda në territorin e vet. Tani sipërmarrja po shikon se si po i ikin nga duart pikërisht ato forca pa të cilat sipërmarrja vdes, njerëzit. Tani të gjithë po e shohin se si shtete më të zhvilluarat janë futur me kokë për të zhvatur nga të munden burimet njerëzore të kujt të munden”.
Kryeministri thekson se epoka e shfrytëzimit të burimeve njerëzore nga sipërmarrjet duhet të mbyllet. Sipas Ramës, dilema e kompanive është “të vdesin” apo të mbijetojnë duke ndërtuar një marrëdhënie të re me punonjësit.
“Po nëse një punonjës apo nëse një i ri ka mundësinë dhe perspektivën të paktën teorike që duke u larguar ta gjejë punën diku tjetër, sipërmarrja nuk ka ku shkon. Një sipërmarrje nuk mund të ngrihet dhe largohet nga Shqipëria. Tani dilema është të rrojë apo të vdesë. Kjo në fakt nëse shikojmë përmbajtjen e financave dhe ekonomisë, nuk është një dilemë e vështirë. Është një dilemë e thjeshtë. Të rrojë duke mbështetur punonjësit që dhe ata të rrojnë dhe epoka e shfrytëzimit të punës të burimeve që punojnë që prodhojnë punë, që japin punë, duhet të mbyllet. Dhe ne do të zhvillojmë këtë dialog pikërisht si një proces kundër shfrytëzimit të punonjësve, të forcave të punës. Marrëdhëniet kapitaliste në Shqipëri për shumë vite kanë që e kanë të bazuar te shfrytëzimi dhe te fitime të padeklaruara shumë më të mëdha se sa të deklaruara. Shumë vite. Kjo fazë është duke u mbyllur, tha ndër të tjera Kryeministri Edi Rama.
Kujtojmë se nga muaji prill paga minimale do të rritet në nivelin e 400 mijë lekëve të rinj.