Tirane, 25 korrik 2013 – Kryeministri i zgjedhur Edi Rama, ka mbajtur sot një takim me drejtues bankash në vend dhe me guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani. Guvernatori Fullani, në fjalën e tij ka vlerësuar mbledhjen e kësaj tryeze, si vazhdimësi e dialogut mes sistemit bankar dhe qeverisë së Shqipërisë.
“Sistemi bankar është kontribuesi më efektiv për rritjen ekonomike të vendit, por edhe kursimtari i kursimeve të familjeve dhe destinatori i fondeve në ekonomi”, ka deklaruar ai.“Ekonomia shqiptare po përballet me sfida të mëdha teknike dhe strukturore. Përballimi i sfidave ekonomike, kërkon një aksion të përbashkët. Është me rëndësi ruajta e stabilitetit makro-ekonomik të vendit”, tha më tej Fullani.Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, nënvizoi dukshëm se duhet të vijohet me ndjekjen e politikave makro-ekonomike në vijim, për të përballuar situatën e krijuar. “Sistemi bankar ka ruajtur shëndetin e tij. Ka mbështetur ekonominë e vendit dhe ka ndarë me të, një pjesë të kostos të ngadalësimit të ekonomisë”.





