22 nëntor 2013 – Në një takim të mbajtur me mjekët shqiptarë që kanë bërë histori në Evropë, kryeministri Edi Rama, ka nënvizuar se korrupsioni mban peng të ardhmen e vendit dhe ajo çka është emergjente, lidhet me transparencën në spitale. Rama apeloi për një shërbim shëndetësor të denjë, duke përçuar mesazhin se bashkëpunimi është i rëndësishmëm për këtë rimëkëmbje.

Në fjalën e tij, Rama citoi se sistemi i shëndetësisë ndodhet në gjendje të patolerueshme dhe se duhet ti jepet fund agonisë që e ka kapluar.

“Do të bëjmë gjithçka për t’i dhënë fund agonisë së sektorit të shëndetit mjekësor. Pres prej jush që të na ndihmoni. Duam të ndërtojmë një shërbim kombëtar shëndetësor të denjë. Duam që së bashku me ju, të bëhemi një trup i vetëm në këtë qëllim kaq madhor. Ky bashkëpunim duket i ndarë në dy kantierë të mëdha; ata brenda Shqipërisë dhe ata jashtë Shqipërisë.

Jemi përballë një shumëllojshmërie aktorësh brenda dhe jashtë vendit, që janë pjesë e një vendi si ky i yni, me përmasa shumë të vogla po me histori të gjatë emigrimi, histori që secili prej jush i ka kthyer në histori suksesi, edhe të atyre që nuk janë sot këtu edhe pse dëshirën e kishin të madhe. Ky takim nuk do të jetë i fundit dhe ju përgjigjet një thirrje në nevojë për të mbështetur një sektor i cili është më i prekshmi. Jemi në një gjendje emergjente dhe çfarë do që bën sot, influencon ato që do ndodhin nesër.

Çelësi është bashkëpunimi që nuk lidhet vetëm me vullnetin politik, por për ne është politika e ndërlidhjes së fateve me sukses duke inkurajuar pjesëmarrjen, ashtu siç jeni ju sot këtu, kur qeveria ka ditur të tregojë seriozitet. Të lësh punën dhe të marrësh rrugën për të ardhur këtu është një sakrificë në vetvete, edhe materiale dhe shëndetësore. Ju u larguat, pasi vendi nuk iu ofronte mundësitë, por edhe arritjet tuaja janë një shembull shumë frymëzues për atë që shqiptarët së bashku dhe Shqipëria e vetme mund t’ia arrijë. Nuk ka dyshim, që po flasim për një fushë shumë të vështirë dhe një sistem që ka nevojë për një kurë në çdo qelizë të tij, pasi duhet një kurë e fortë për të, që të kurojë dhe njerëzit më pas. Korrupsioni mban peng të ardhmen e Shqipërisë dhe sidomos të këtij sektori”, tha Rama.