8 dhjetor 2013 – Pasditen e sotme, në vijimësi të aktiviteteve në kuadër të 8 Dhjetorit, Ditës së Rinisë, kryeministri Rama ka hapur dyert e Kryeministrisë ku po zhvillon një bashkëbisedim me një grup nxënësish e studentësh të ekselencës. Rama garantoi se Qeveria do të jetë gjithmonë në mbrojtje të studentëve. “Ekselenca meriton respekt. Ata meritojnë mirënjohjen dhe respektin e të gjithë shoqërisë. Dëshira jonë është që një program në mbështetje të tyre të realizohet edhe në vijim. Ka patur një praktikë të tillë dhe ne duam që ta mbajmë jo vetëm gjallë, por edhe ta çojmë më tutje, duke bërë të mundur që ata që vërtetë e meritojnë, që mundohen dhe sakrifikojnë gjatë viteve dhe marrin përmes mundit të tyre mundësinë për të studiuar më tutje në universitete të huaja dhe nuk e kanë mundësinë ekonomike, do të kenë mbështetje Qeverinë dhe shtetin shqiptar”, premtoi Rama.
A do ti ndihmojë qeveria nxënësit me rezultate të shkëlqyera dhe nëse po në çfarë mënyre?
Do bëjmë çmos për të ndihmuar të gjithë nxënësit, por padyshim nxënësit me rezultate të shkëlqyera meritojnë një respekt më të posaçëm. Kur kam drejtuar Bashkinë e Tiranës kemi përfshirë në programin e bashkisë për herë të parë një trajtim të veçantë për të gjithë nxënësit me 10-ta. Programi ka dhënë rezultatet e dëshiruara. Dëshira jonë është që një program i tillë të shtrihet dhe të përmirësohet në vijim.
A do të ishte e mundur që për ne maturantët ju të na akordonit bursa për në universitetet europiane, pasi për prindërit tanë është pak e vështirë për të përballuar universitete me taksa të shtrenjta.
Ka një praktikë të vënë në lëvizje nga qeveria e mëparshme, megjithëse ka pasur edhe disa probleme, është e rëndësishme që është praktikë e mirë dhe duam ta mbajmë jo vetëm gjallë por ta çojmë edhe më tutje.
Ju na folët për nismën e re “Kryeministri juaj”. A mund të na thoni pak më shumë për këtë nismë, si do zhvillohet ajo në muajt në vazhdim…
Unë besoj se një nga gjërat më të rëndësishme për një Kryeministër, por edhe për një kryetar bashkie, por edhe për një drejtues të lartë është që të mos humbasë kontaktin e drejtpërdrejtë me realitetin, të mos humbasë kontaktin e drejtpërdrejtë me njerëzit, të mos bjerë pre e atij rrethimi të vogël, që zakonisht ndodh kur je në një pozicion të lartë. Nga ana tjetër, unë e kam thënë qysh ditën e parë kur më është besuar kjo detyrë kaq e lartë dhe më është bërë ky nder kaq i madh, që; Zyra do të jetë e imja, por pushteti do të jetë i juaji! Në këtë aspekt, besoj se edhe kjo nismë ndihmon. Ndihmon për të dëgjuar, por ndihmon edhe për të komunikuar drejtpërdrejtë me qytetarët, duke ftuar këtu në këtë sallë grupe të ndryshme, përfaqësues të shtresave të ndryshme dhe duke përfituar nga komunikimi i drejtpërdrejtë për t’iu përgjigjur atyre pyetjeve që janë pyetjet me të cilat përballen njerëzit në të përditshmet e tyre dhe që jo gjithmonë mediat arrijnë t’i ngrenë me të njëjtën thjeshtësi dhe me të njëjtën forcë që mund t’i ngrenë njerëzit që kërkojnë përgjigje. Në funksion të kësaj, besoj, që kjo rubrikë e përmuajshme do të ndihmojë, edhe pse është vetëm një nga shumë rrugët e komunikimit që ne kemi në dispozicion. Rrugë të tjera komunikimi me siguri do të hapim edhe në të ardhmen, hap pas hapi.
Të ardhurat e familjes time përfitohen nga pagat e prindërve të mi, kemi parë lajmet lidhur me taksat që mund të aplikohen, sa të vërteta janë tabelat e publikuara anë media?
Taksat nuk janë asnjëherë fjalë që tingëllon ëmbël, por unë besoj se tek taksat qëndron edhe vlera e patriotizmit të një shoqërie. Unë besoj se të paguash taksa do të thotë të jesh një patriot i mirë, ndërsa të mos paguash taksa do të thotë t’ia punosh prapa shpine shoqërisë dhe vendit tënd. Besoj po ashtu që sistemi i taksave duhet të jetë një sistem sa më i drejtë me të gjithë dhe sa më i ndershëm për të gjithë. Nuk mund të paguajnë të gjithë taksa njëlloj pasi të gjithë nuk fitojnë njëlloj. Nuk mund të paguajnë më shumë taksa ata që kanë më shumë halle, ndërkohë që ata që kanë më shumë mundësi të paguajnë më pak taksa. Sot në Shqipëri me sistemin e taksës së sheshtë, një mësues, një infermiere një polic, paguam më shumë taksa se sa kryeministri. Biznesi i vogël të paguajë më shumë taksa se sa një kompani e madhe, kjo është e padrejtë dhe ne do ta ndreqim këtë padrejtësi. Sistemi ynë i taksave do të bazohet në taksimin e ndershëm dhe jo në taksën e sheshtë. Tabelat të cilave ju i referoheni nuk janë të vërteta, nuk janë zyrtare. Ne sot jemi në një moment të vështire të ekonomisë sonë, por ne nuk mundet dot që barrën më të madhe të kësaj vështirësie tua ngarkojmë atyre që janë më të dobët. Barra të shpërndahet në sa më shumë supe dhe të mos e mbajnë këtë barrë ata që janë më korrekt me ligjin dhe shoqërinë. Për të përballuar problemin e përbashkët të ekonomisë dhe financave të vendit, ne na duhet një program i ri me FMN dhe ky program nënkupton në fund qoftë marrjen e një ndihme por qoftë dhe plotësimin e atyre kushteve që do të ketë marrëveshja me FMN. Sigurisht Shqipëria i ka të gjitha mundësitë për ta kapërcyer krizën ku ndodhet, por kriza është e pakapërcyeshme nëse secili nuk merr pjesën e vet të përgjegjësisë.
23 vjet më parë, studentët kërkuan jo vetëm ndryshimin e sistemit politik, por edhe atë jurisprudencial. Sot 23 vjet më pas, 8 dhjetor 2013, ne e gjejmë drejtësinë të rënë përmbys. Tashmë jemi në vigjilje të mbylljes së 100 ditëve të para të qeverisjes suaj. Dua t’u pyes çfarë keni bërë dhe çfarë do të bëni për të ndryshuar këtë gjë, apo thjesht do të mjaftoheni me atë që drejtësia është e pavarur dhe më ketë rast do të lani dhe duart?
Pyetje e vështirë, por pyetje e drejtë. Në radhë të parë më lejoni t’ju them që 100 ditë janë mjaft për të shkruar dhe për të prezantuar kartëvizitën, nëse mund të them kështu, të një qeverie, por janë shumë pak për të realizuar gjërat që një qeveri ka marrë përsipër. Padyshim, që kartëvizita ka shumë rëndësi dhe prezantimi i parë ka shumë rëndësi. Më pëlqen shumë një fjalë që thotë përgatitu mirë për prezantimin e parë, se zakonisht nuk ke një shans të dytë mbas një prezantimi të keq. Ndërkohë që, problemi i drejtësisë është një problem që i kapërcen kufijtë e mundësive të një qeverie në vetvete. Ju e dini shumë mirë që ne në bazë të Kushtetutës sonë kemi tre pushtete të ndara dhe të pavarura nga njëra tjetra. Qeveria është vetëm një nga këto 3 pushtete, pushteti ekzekutiv. Pushteti legjislativ është Parlamenti dhe pushteti gjyqësor është ajo që me një fjalë të vetme ne e quajmë drejtësia. Por kjo nuk është asnjë arsye as për t’u tërhequr dhe as për të larë duart, duke thënë se drejtësia është e pavarur, ne s’kemi çfarë të bëjmë dhe kështu s’na mbetet veçse të bëjmë sehir me shumë keqardhje me të pabërat, thuajse të përditshme të sistemit të drejtësisë. Përkundrazi, ne duam dhe do të bëjmë gjithçka për ta reformuar dhe transformuar sistemin e drejtësisë, por duke e filluar përsëri nga vetja. Unë kam besuar gjithmonë që në një vend që qeveriset me padrejtësi dhe përmes padrejtësisë, është e kotë që të shkosh ta kërkosh drejtësinë në dyert e gjykatave apo duke trokitur në derën e prokurorisë. Shembulli që jep Qeveria është shumë i rëndësishëm në krijimin e një atmosfere dhe të një marrëdhënieje të caktuar mes qytetarëve dhe drejtësisë apo drejtësisë dhe qytetarëve. Sigurisht, kur shoqëria shikon se si qeveria bën përditë padrejtësira madje se si qeveria përfiton apo njerëzit në qeveri përfitojnë përmes padrejtësive është iluzion të presësh drejtësi pastaj në dyert e drejtësisë. Besoj që në këto ditë ne kemi dhënë mesazhe shumë të qarta përmes punës që kemi bërë, vendimeve që kemi marrë, shembullit që kemi mishëruar, që ne duam ta ndajmë procesin e qeverisjes nga të këqijat që fatkeqësisht e kanë karakterizuar për vite të tëra. Pra, nga një proces keqqeverisjeje, duam të ndërtojmë një proces mirëqeverisjeje. Këtë problem kompleks, problemin e drejtësisë, duam ta trajtojmë si një sëmundje të rëndë që kërkon një konsultë të gjerë, për të vendosur jo vetëm diagnozën, sepse diagnozën mund ta vendosë çdokush në Shqipëri sot për sistemin e drejtësisë, por dhe për të vendosur recetën e duhur, për të bërë terapinë e duhur për këtë sëmundje. Kjo është një sëmundje e rëndë, është një kancer dhe kërkon një terapi të fortë. Nuk mund të shërohet as me aspirina dhe as me antibiotikë. Ne po përgatitemi për këtë dhe më herët se vonë do të hapim një debat të madh me të gjithë për të adresuar këtë sëmundje dhe për të rënë dakord për terapinë që pastaj të gjithë së bashku duhet të ekzekutojmë në funksion të goditjes së këtij kanceri që po i merr frymën shoqërisë.
Meqë më jepet rasti, jo vetëm në emrin tim, por edhe në emër të studentëve të Universitetit Mjekësor, unë dua të parashtroj një problem që ne kemi në lidhje me ekzistencën e Universitetit Mjekësor si institucion. Duke qenë se që kur është krijuar si institucion kemi patur shumë problematika, duke filluar që nga fakultetet e krijuara që pothuajse janë inekzistente apo atyre edhe të atyre problematikave që ekzistojnë mes dekanateve dhe rektorateve ku secili përpiqet t’ja kalojë përgjegjësinë njëri-tjetrit. Gjithashtu edhe me njohjen e diplomave tona në tregun ndërkombëtar, ku universiteti Mjekësor i Tiranës, nuk figuron si universitet. Këtu bëhet fjalë për ne që na zuri krijimi i Universitetit Mjekësor të Tiranës në mes të studimeve tona. A ka nga ju ndonjë fjalë, meqë ky takim po ndiqet live dhe ne jemi shumë të shqetësuar.
E di këtë shqetësim dhe jam njohur me problematikën e këtij, po e quajmë, konflikti. Ministri i Shëndetësisë dhe Ministria e Arsimit e kanë pjesë të detyrave të tyre të kësaj periudhe. Shumë shpejt ne do të kemi një ide të qartë për mënyrën se si do të veprojmë. Në këtë rast nuk do të veprojmë, duke dhënë një urdhër nga lart poshtë, por dhe duke diskutuar dhe duke dëgjuar ju, duke dëgjuar të tjerët, sepse siç e dini është një çështje, ku jo të gjithë janë në një mendje dhe duke dalë në konkluzionin e duhur, pa humbur kohë dhe pa i humbur kohë as juve dhe as të tjerëve. Ju siguroj për këtë!
Cili nga ministrat ka qenë ai që ju ka ndihmuar më shumë dhe cili ka qenë më problematiku?
Nuk do ishte ide e mirë të bëja një klasifikim, por për këtë periudhë kohe mund t’ju them se skuadra e qeverisë e ka përballuar, besoj unë, ashtu si duhet sfidën dhe ajo ç’ka unë kam dashur dhe dua që nga momenti i parë është që ne të punojmë si një skuadër. Kemi lënë mënjanë metodën tradicionale të punës së qeverisë dhe duke vënë në jetë një metodë të re pune që bazohet shumë në komunikimin e brendshëm mes të gjithë anëtarëve të qeverisë në takimet e përjavshme qoftë të të gjithëve bashkë qoftë në grupe të ndryshme për të trajtuar probleme të ndryshme që janë probleme që nuk mund të zgjidhen pa ndërveprim. Deri këtu, anëtarët e qeverisë janë në lartësinë e duhur dhe po e kryejnë detyrën me mjaft përkushtim dhe zotësi. Por për të mos ju lënë pas asnjë përgjigje konkrete mund të them se unë kam fatin të kem një zëvendës që jam i bindur çdo kryeministër do donte ta kishte, një ministër të Brendshëm që ka marrë nota pozitive në sytë e opinionit publik. Një ministër të Jashtëm që po bën një punë të admirueshme dhe me radhë për të mos i përmendur të gjithë ministrat që në këto dy muaj e pak nuk kanë rënë shumë në sy, por janë duke punuar me përgjegjshmëri të lartë. Në përfundim të 100 ditëve do të bëjmë një takim të hapur dhe aty jam i bindur se njerëzit do të shohin shumëçka që nuk ka qenë përpara tyre më parë.
Lidhur me ndërtimet që janë prishur në bregdet, thuhet që qeveria ka lekë të paguajë banorët dhe nuk ka lekë të paguajë invalidët.
Është një pyetje legjitime për shumë njerëz që sot janë në vështirësi. Kam dy sqarime për të bërë, e para kemi ndërmarrë një nismë që unë e konsideroj shumë të rëndësishme për Shqipërinë që duam, për Shqipërinë që ju meritoni që lidhet me ndalimin përfundimtar të abuzimit të përditshëm dhe të përshumëvjetshëm me territorin, me pronën tonë të përbashkët, pjesë e kësaj nisme është aksioni ynë për të çliruar bregdetin, nga të gjithë ndërtimet abuzive qofshin pa leje, apo qoftë ndërtimi në fjalë që është një ndërtim abuziv, bazuar në një procedurë që nga fillimi në fund është abuzive, por në mirëbesim qytetarët kanë shpenzuar para për të përfituar një apartament, apo një hapësirë. Do të ishte e padrejtë që këta qytetarë që kanë blerë në mirëbesim, të dalin të dëmtuar nga kjo histori që është përpjekje për të ç’dëmtuar një qytet të tërë. Unë besoj një popull të tërë në një nga pasuritë e mëdha që ne kemi që është bregdeti. Këtu flasim për rikthimin e një të drejte themelore të shkelur me këmbë e të abuzuar me vite të tëra, të një qyteti të tërë dhe një populli të tërë, për të përfituar nga një pasuri kaq e madhe saç është bregdeti. Vënia në lëvizje e planeve dhe projekteve të Shqipërisë së gjeneratës tjetër në vizion dhe në standarde, transformimi i kësaj vije bregdetare në një vijë bregdetare të një cilësie ndërtimore si në shumë pika tërheqëse të Mesdheut, do të thotë mbi të gjitha rimëkëmbje ekonomike, sociale e morale të shoqërisë. Këtu bëhet fjalë për një nisme, për një vizion dhe një projekt që është tërësor dhe duhet parë në tersi. Ana tjetër është pamundësia që kemi pasur për të paguar normalisht njerëzit më në nevojë që janë invalidët, paraplegjikët dhe tetraplegjikët, që prej muajsh nuk marrin pagesën. Arsyeja është sa e thjeshtë aq edhe tronditëse, sepse mbi 90% e parave të caktuara për ta janë shpenzuar për arsyet e mos arsyes së fushatës elektorale. Janë shpenzuar për tua dhënë shumë të tjerëve që janë përfshirë në këto skema pa qenë as invalidë as në nevojë ekonomik, por thjesht për tu marrë votat me lekët e atyre që realisht i meritojnë ato lekë. E para me këto lekë nuk po shembet një pallat, me këto lekë ata që kanë përfituar në mirëbesim dhe që nuk kanë arsye që të paguajnë koston e madhe, këto lekë janë shumë pak për të zgjidhur problemin e invalidëve, që po bëjmë të pamundurën dhe do ta zgjidhim.
Gjatë karrierës tuaj a ka patur ndonjë moment apo ngjarje që të ka bërë të dyshosh për bindjet e tua politike.
Bindjet e mija janë arsyeja pse unë jam pjesë ë asaj bindje politike ku jam pjesë dhe pse jam këtu sot. Nuk kam dyshim për bindjet e mija nëse flasim për bindje politike. Nëse flasim për bindje të tjera ato mirë është të mos jenë të palëvizshme.
Mund të më thoni çdo të bëhet me peshqit e mëdhenj të korrupsionit apo do duhet të harrojmë ato që kemi dëgjuar vite më parë?
Ne nuk kemi mandat për të harruar, por ne s’kemi as mandat për të hedhur pranga nëpër rrugë. Ne jemi qeveria e një shumice shumë të fortë, jemi shumë të vetëdijshëm për këtë, sikurse jemi të vetëdijshëm që në zgjedhjet e 23 qershorit ka patur një etje për drejtësi, të cilës do ti shërbejmë duke bërë pjesën tonë. Numri i rasteve të goditura këto dy muaj e pak, është mbi 400% më shumë. Ju siguroj që ne do të çojmë përpara drejtësinë për sa na takon si qeveri të gjitha rastet ku do të konstatojmë nga auditi i së shkuarës, arsye për ndjekje penale, pa kursyer askënd në asnjë nivel. Këtë do ta bëjmë duke e ndarë me publikun dhe do të kërkojmë që prokuroria dhe gjykata të marrë përgjegjësinë. Por nuk duhet ta harrojmë që nuk jemi as prokurori as gjykatë, por mund ti bëjmë të funksionojnë ato më mirë përmes reformave.
Në këtë dhjetor të ethshëm kur ne presim statusin kandidat, do doja të dija sa besimplotë jeni ju?
E rëndësishme është që ne të jemi të gjithë të angazhuar dhe të vetëdijshëm që integrimi evropian nuk është udhëtim për diku. Nuk është rrugë jashtë shtetit që përfundon në Bruksel, por është udhëtim brenda vetes, për të ndërtuar vlerat dhe parimet e Europës së bashkuar në shoqërinë tonë dhe mbi këto vlera e parime të ndërtojmë Shqipërinë këtu.
Ku mendoni se çalon rinia sot dhe cilat janë problemet më akute?
Unë mendoj vetëm se ku çalon qeveria. Se ku çalon rinia besoj unë është një brutalitet i panevojshëm për tu marrë me të dhe mbi të gjitha është shumë e rëndësishme që sot vetë rinia është e përbërë nga pjesë të ndryshme grupe të ndryshme, disa çalojnë, disa vrapojnë, disa ecin, disa ngecin. Në tërësi nuk është rinia që çalon por sistemi ynë i edukimit që çalon.
Çfarë ju bën juve të lumtur?
Besoj që lumturia është një fjalë shumë e madhe, por në të njëjtën kohë njeriu duhet të jetë i lumtur kur bën punën që do sepse jo gjithkush e ka këtë mundësi. Ka shumë njerëz që nuk e bëjnë dot punën që duan, ose gjërat që duan i bëjnë pas pune. Nëse njeriu arrin të bëjë punën që do në kohën e punës nuk ka pse të ankohet që nuk është i lumtur edhe pse pastaj lumturia është një fjalë shumë e madhe që unë përgjithësisht nuk e përdor.
Cili është vendimi më i vështirë që ju keni marrë, ju është dashur që ju të merrni këto kohë?
Sigurisht që ka qenë vendimi për armët kimike. Një vendim që erdhi për tu marrë në një kohë kur sapo kishim filluar punën. Një nga ato vendime shumë të vështira që kjo punë ti nxjerr përpara. Në kushtet kur Shqipëria ka marrë një rrugë të qartë në orientimin e vet euroatlantik, është anëtare e NATO-s, e angazhuar në procesin e integrimit evropian, është në një fushë veprimesh dhe ndërveprimesh ku jo gjithçka është zgjedhje e lirë. Shqipërisë ju kërkua të merrte përsipër një rol që i kalon përmasat e një vendi të vogël dhe e kthen një vend të vogël në një qytetar global. Fatkeqësisht nuk u përmbushën të gjitha kushtet që ta kishim bërë këtë vendimmarrje pozitive dhe kështu vendimi që u mor ishte ai që të gjithë e dimë dhe që ishte plotësisht edhe më dëshirën e pjesës më të madhe të popullit që u shpreh përmes një proteste që ishte në fakt pjesë aktive e një debati dhe e një procesi vendimmarrës. Mospërputhja e dëshirës me mundësitë në mungesë të kushteve për ti përputhur këto të dyja, solli vendimin dhe ai ishte realisht i vetmi për tu marrë në ato kushte.
Cila është nota që i vendosni vetes si politikan dhe cilin politikan vlerësoni më shumë?
Mos më kërkoni ti vë notë vetes, të jeni të sigurt që unë vetë vetes nuk i vë 10 asnjëherë, sepse nuk do çohesha të nesërmen për të përmirësuar gjërat që kanë nevojë të përmirësohen. Përsa i përket politikanëve të botës, dy më vijnë në mendje Bill Clinton dhe Tony Blair. Janë dy politikanë që kanë transformuar politikën dhe e kanë kaluar politikën nga një epokë në një epokë tjetër. Sigurisht po të shkojmë më mbrapa në histori ka plot të tjerë që nuk mundet veçse t’i përulemi me shumë admirim dhe respekt.





