26 shtator 2013- Kreu i qeverise, Edi Rama në ditën e tretë të zhvillimit të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ka zhvilluar takime me presidentin e Turqise, te Kroacise, te Bullgarise, kryeministrin e Malit te Zi dhe Drejtoreshën e Përgjithshme të PNUD Helen Clark.
“Gjatë takimit me Presidentin turk Gyl, Kryeministri nënvizoi edhe njëherë partneritetin strategjik mes dy vendeve tona. Presidenti Gyl dhe Kryeministri Rama biseduan edhe për nxitjen e mëtejshme të marrëdhënieve tregtare mes Shqipërisë dhe Turqisë”. Vëmendje të posaçme në këtë takim pati gjithashtu edhe ndihma që qeveria turke mund të japë për përmirësimin e sistemit shëndetësor në vendin tonë.
Rama-Gjukanovic
Takimi i Kryeministrit Rama me homologun e tij malazez Gjukanoviç u përqendrua në bashkëpunimin rajonal, në mënyrë të veçantë në dy fusha: studimin e mundësisë për degëzimin e rrjetit të TAP drejt Kosovës dhe Malit të Zi, si edhe krijimit të një projekti të përbashkët për ndërtimin e një autostrade që do të kalonte nga Kroacia drejt Malit të Zi e Shqipërisë, për të lidhur bregdetin Adriatik me atë Jon.
Rama- Clark
Biseda mes Kryeministrit Rama dhe Drejtoreshës së Përgjithshme të PNUD, zonjës Helen Clark u përqendrua kryesisht në mundësitë e reja që marrja e statusit të vendit kandidat do të hapte për Shqipërinë, duke filluar nga janari i vitit të ardhshëm. Në këtë këndvështrim, Kryeministri Rama kërkoi mbështetjen e vazhdueshme të PNUD për vendin tonë, sidomos në ngritjen e kapaciteteve të administratës dhe burimeve njerëzore, për të qenë plotësisht të përgatitur në raport me sfidat dhe detyrimet e reja që Shqipëria pritet të ketë shumë shpejt ndaj Bashkimit Evropian.





