Tiranë, 3 maj 2014 –  Një kompleks i plotë do të mbledhë bashkë të gjitha strukturat zinxhirë të sportit, federatat, peshëngritjen, mundjen, atletikën si dhe lojërat me dorë. “Tirana Olimpik Park” është projekti prej 10 milionë euro, i cili do të rivitalizohet në kompleksin aktual sportiv "Dinamo" dhe do të përfundojë në fund të mandatit qeverisës. Ndërsa palestra për peshëngritjen dhe mundjen, me një vlerë prej 3 milionë euro, pritet të përfundojë vitin e ardhshëm.
 
“Tirana Olimpik Park”  u prezantua publikisht nga kreu i qeverisë Edi Rama, përballë sportistëve kampionë në sallën e hartave në Kryeministri.  Kupa që sollën në atdhe kampionët e peshëngritjes Erkand Qerimaj dhe Daniel Godelli, por edhe kampionia e Atletikës, Luiza Gega, sipas kryeminsitrit i dhanë shtysë të veçantë këtij projekti, për ta shpërblyer mundin e tyre me krijimin e mjediseve të përshtatshme për stërvitje.

Kryeministri i dorëzoi projektin tre kampionëve, duke i premtuar se nëse nuk do të realizohet atëherë të tre bashkë, madje dhe me të tjerë, tha Rama, -“ të vijnë para kryeministrisë dhe të thonë ku e keni projektin që na dhatë”.

Kryeminsitri zgjodhi që projektin ta lë në dorën e Luiza Gegës. “Kam më shumë besim te gratë se te burrat. kur vjen puna te besnikëria”, u shpreh kreu i qeverisë.

Ndërsa ka shprehur mbështetjen e qeverisë ndaj sportistëve, kryeministri Rama zgjodhi t’u japë nga një dhuratë tre kampionëve të pranishëm në takimin e hapur në kryeministri.
 
Kampionit të Peshngritjes në Europë, Erkand Qerimaj kreu i qeverisë i dhuroi butonat e këmishës që ai tha se i jepen homologëve. “Kampioni i meriton, sepse nuk është vetëm një njeri për t’u çmuar kur është me uniformën e peshëngritësit përballë shtangës, por edhe kur flet për Bethoven”
 
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/