Tiranë, 31 mars 2014 – Kryeministri Edi Rama ka mbërritur në Berlin për një vizitë zyrtare. Ai do të takohet të martën me kancelaren Angela Merkel, me të cilën më pas do të ketë edhe një konferencë shtypi.
Takimi me kancelaren Merkel do të nisë me një ceremoni ushtarake, për të vijuar me takimin mes dy delegacioneve dhe me drekën e punës. Gjatë vizitës në Gjermani Rama do të takojë edhe shefin e Bundestagut, ministrin e Financave dhe zyrtarë të tjerë.
Kjo vizitë vjen në një kohë kur Shqipëria do të testohet sërish në qershor për marrjen e statusit të vendit kandidat. Gjermania ishte një nga ato vende që kërkoi shtyrjen e vendimit të statusit për në qershor.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





