Kryeministri Edi Rama ishte pasditen e sotme në Himarë, në zonën e prekur nga zjarri gjatë natës së kaluar, ku pa nga afër situatën dhe angazhimin në terren.

Kryeministri takoi dhe falënderoi efektivët e Emergjencave Civile, Forcave të Armatosura, shërbimeve zjarrfikëse dhe të gjitha strukturave të angazhuara në përballimin e situatës dhe mbrojtjen e jetës së banorëve dhe pronës.

Gjatë mbrëmjes së djeshme një zjarr i madh ra në kodrat e Himarës, duke shkaktuar panik te banorët, por edhe turistët.

Pavarësisht ndërhyrjeve të autoriteve dhe punës së pandërprerë gjatë gjithë natës, gjashtë banesa u shkrumbuan tërësisht, ndërsa për fat të mirë, nuk pati jetë të humbura apo të lënduar.

Qeveria premtoi gjatë ditës së sotme, se banorët në Himarë, por edhe ata në Fier apo në zona të prekura nga flakët, do të dëmshpërblehen.