20 nëntor 2013 – Kryeministri Edi Rama e ka nisur vizitën e tij zyrtare në Londër me një takim me kryeministrin britanik David Cameron.  

Gjatë takimit me homologun britanik, Kryeministri Rama u përqendrua tek e ardhmja evropiane e Shqipërisë dhe theksoi reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.Dy kryeministrat biseduan edhe për marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve, të cilat u cilësuan të shkëlqyera, si edhe për bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar. Nga ana e tij Cameron uroi kreun  e qeverisë shqiptare për marrjen e detyrës dhe theksoi se qeveria e tij mbështet integrimin evropian të Shqipërisë.Kryeministri Rama, i shoqëruar me disa prej anëtarëve të kabinetit qeveritarë, është nisur dje në mesditë drejt Londrës.

***

Pas takimit me kryeministrin britanik, përmes faqes së tij zyrtare në “Facebook”, kryeministri Rama e cilësoi bisedën me homologun Cameron si një bashkëbisedim të sinqertë për sfidat e Shqipërisë. 

“Në 10 Downing Street për t'i komunikuar shefit të qeverisë britanike shprehjen e vullnetit të plotë të qeverisë së Shqipërisë për të forcuar marrëdhëniet me Britaninë e Madhe. Në tryezën emocionuese të qeverisë ku është shkruar për disa qindra vjet historia e Britanisë së Madhe, u fol për integrimin evropian të Shqipërisë dhe arritjet e qeverisë së re kundër krimit e korrupsionit, forcimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve si edhe mënyrën e funksionimit të brendshëm të skuadrës së 10 Downing Street.”- shkruan Rama në “Facebook”.