TIRANE, 8 korrik 2013 – Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama vijon takimet me kryetarët e institucioneve kryesore të vendit. Pas takimeve me presidentin Nishani dhe kryeprokurorin Llalla, kreu i mazhorancës së re qeverisëse zhvilloi sot një takim me Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani.
Takimi ka zgjatur më tepër se një orë dhe është zhvilluar në zyrat e Bankës Qendrore. Në qendër të bisedimeve mes kreut të PS-së dhe guvernatorit Fullani ka qenë situata e financave në vend.
“Tranzicioni i pushtetit”, Rama: Takime pozitive me Nishanin e Llallën
Pak ditë më parë kryeministri i mandatuar, Edi Rama, takoi Presidentin, Bujar Nishani dhe Kryeprokurorin Adriatik Llalla. Pas takimit, zyra e shtypit e kreut të shtetit sqaroi përmes një njoftimi se “Presidenti Nishani e uroi z. Rama për fitoren në zgjedhjet e 23 qershorit, si edhe për suksese në zbatimin praktik të programit politik, në të mirë të qytetarëve të vendit e të ardhmes evropiane të Shqipërisë”. Sipas njoftimit Nishani e Rama shkëmbyen mendime për një tranzicion të butë të pushteteve dhe për një bashkëpunim të frytshëm institucional, në interes të forcimit të demokracisë e funksionimit të shtetit ligjor.
Ndërsa në “Twitter”, vetë Rama shkroi: “Me Presidentin e Republikës për tematikën e bashkëpunimit institucional e të tranzicionit të pushtetit pa probleme të reja. Takim pozitiv”.
Në përfundim të takimit me kryeprokurorin Llalla, Rama komentoi në “Twitter”: “me Prokurorin e Përgjithshëm për tematikën e bashkëpunimit institucional dhe influencën e krimit mbi vendin. Takim pozitiv”.





