TIRANE – Kryetari i PS-së, Edi Rama, pas takimit me trojkën e ambasadorëve të akredituar në vendin tonë deklaroi se forca politike që drejton është në sintoni të plotë me interesin kombëtar dhe partnerët ndërkombëtarë për të sotmen dhe të nesërmen e Shqipërisë në rajon. 

Në një deklaratë të shkurtër për mediat, kreu i selisë rozë deklaroi se kishte ndarë me ambasadorët opinionet për atë çfarë ndodhi në Preshevë, si dhe për qasjen e PS-së për atë çfarë po ndodh me procesin përgatitor për zgjedhjet e ardhshme.

Në selinë e PS-së ishin të pranishëm sot ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu, ai i OSBE-së, Eugen Wolfarth dhe i BE-së, Ettore Sequi. Wollfarth, në emër edhe të dy kolegëve të tij, u bëri thirrje partive politike që të vijojnë dialogun dhe të merren seriozisht me procesin e përgatitjeve për zgjedhjet e ardhshme, në mënyrë që ato të zhvillohen sipas standardeve.