TIRANE– Kreu i PS-së ishte i pranishëm pasditen e sotme në një aktivitet të organizuar nga të rinjtë e FRESSH-it kushtuar sportit, ku ndau me ta pasionin e hershëm për sportin dhe rëndësinë që ka masivizimi i tij si një element i rëndësishëm për socializim të shëndetshëm mes të rinjve dhe mbajtjen e tyre larg nga veset.

Rama rrëfeu për të rinjtë edhe shkakun pse ai hoqi dorë nga sporti për t’iu futur politikës, si një pasion i brendshëm i çdo njeriu që dëshiron të bëjë diçka që gjërat të ndryshojnë, çka imponohej, sipas kreut të PS, edhe nga rrethanat historike të momentit kur ai e mori këtë vendim.

“Unë e lashë sportin kur iu futa politikës, si një pasion i brendshëm i çdo njeriu që dëshiron të bëjë diçka që gjërat të ndryshojnë. Era e ndryshimit në atë kohë ishte e fshehur shumë brenda njeriut. Kam besuar dhe besoj që politika është mundësia që i jepet një njeriu të zakonshëm jo për t’u bërë politikan, por për të bërë të mundur, bashkë me të tjerë, gjëra që nuk i bën dot i vetëm. Të vetëm ju mund të gjeni mënyrën të takoni prezantuesen edhe ta hutoni atë, por më shumë se kaq s’bëni dot, ndërkohë që bashkë ju mund të bëni gjëra që ju duken tërësisht të pamundura”, – tha kreu i PS-së.

Më tej Rama u bëri thirrje të rinjve që të jenë aktivë dhe të bëhen pjesë e rrugëtimit të PS-së drejt 23 qershorit, “për t’i dhënë fund rrënimit aktual e për t’i hapur rrugën Rilindjes Shqiptare”.