Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç është pyetur nga gazetarët në lidhje me deklaratën e bërë nga kryeminstri Edi Rama, i cili tha se “Ballkani i Hapur” e ka kryer misionin dhe se tani duhet Procesi i Berlinit.
“Procesi i Berlinit është aksi ynë kryesor. Ballkani i Hapur ishte një iniciativë që lindi nga nevoja për ta shtyrë përpara Procesin e Berlinit dhe e ka kryer atë mision për të cilin lindi. Ne duhet të futemi me kokë tani në Procesin e Berlinit sepse e kemi këtë mundësi, e kemi Procesin e Berlinit në Tiranë. Kemi mundësi ta zotërojmë si proces me mbështetjen e madhe që kemi nga Gjermani, nga kancelari Scholz dhe nga gjithë të tjerët”, tha Rama.
Në lidhje me këtë Vuçiç tha se nuk beson se Rama ka thënë se Ballkani i Hapur ka mbaruar pasi sipas tij, është një ide autoktone që i përket popujve të Ballkanit.
“Nuk jam i sigurt se është pikërisht ajo që tha ai, por shpresoj se do të mund ta shoh së shpejti. Ballkani i hapur është një ide autoktone e popujve të Ballkanit, serb, shqiptar, maqedonas, por është mbështetur edhe nga një pjesë e konsiderueshme e boshnjakëve dhe njerëzve në Mal të Zi që nuk janë serbë”, tha Vuçiç.
Ai tha se e njihte mirë Ramën dhe se ishte thuajse e pamundur që ai të kishte thënë një gjë të tillë.
“Unë gjithmonë do të mendoj se ideja jonë, dhe jo e imponuar nga jashtë, do të jetë më e mirë, pavarësisht nga përmbajtja e dëshirave tona”, përfundoi Vuçiç ndër të tjera.