TIRANË,6 shtator 2013- Pas takimit me homologun shqiptar, Sali Berisha në përfundim të mandatit të tij, Hashim Thaci mbërriti në selinë e PS, për një tjetër takim me kryeministrin e zgjedhur Edi Rama.

Gjatë fjalës së tij Rama u shpreh se sot u vendosën piketat e këtij bashkëpunimi që do të kulmojë me një mbledhje të përbashkët të dy qeverive. “Vendosëm piketat e një bashkëpunimi më të intensifikuar. Kemi bindjen që vetëm nëpërmjet këtij intensifikimi ne mund të krijojmë më shumë mundësi për të gjithë shqiptarët. 
“Marrëveshja me palën serbe,mbylli një epokë dhe hapi një të re, që të gjithë të krijojmë kushte që në këtë hapësirë të re të bashkëpunojmë në të mirë të qytetarëve të rajonit”. Bashkëpunimi do të mbetet rruga e përbashkët drejt rrugës së bashkimit nën qiellin e Europës së bashkuar. 

Më pas e mori fjalën Kryeministri i Kosovës HashimThaçi, i cili I garantoi Ramës se “do të keni bashkëpunimin e ngushtë të Qeverisë së Kosovës dhe timin personal; ju falenderoj për bashkëpunimin dhe përkushtimin që keni.

Duke u ndalur tek mbledhja e përbashkët e të dy qeverive, Thaci theksoi se, “Mbledhja e dy qeverive tona do zhvillohet në nëntor, në Prizren. Do punojmë bashkërisht dhe për Shqipërinë Europiane dhe për Kosovën Europiane”, shtoi ai.