Kryeministri Edi Rama, gjatë një aktiviteti për kredi të buta për disa kategori, është ndalur sërish te debati për studentët e mjekësisë, duke bërë thirrje edhe një herë që të rinjtë të mos synojnë largimin drejt Gjermanisë, por të investojnë në vendin e tyre.

Gjatë diskutimit për projektligjin për të punuar për disa vite në Shqipëri pas përfundimit të studimeve, Rama tha se është një akt patriotik, humanitar dhe profesional.

Ai tha se ata që nuk duan të qëndrojnë për disa vite për të shërbyer në spitalet e vendit, atëherë do të duhet që të paguajë tarifën e plotë të studimeve.

“E paimagjinueshme që studentë të mjekësisë të refuzojnë, madje të bëjnë dhe protesta që t’ia kthejnë këtij vendi dhe këtij populli këtë investim shumë të madh. Qeveria financon studimin e mjekëve për të shërbyer për shëndetin publik të Shqipërisë, jo për t’i shërbyer Gjermanisë.

Nëse dikush nuk dëshiron ta marrë në konsideratë detyrimin, human, profesional, patriotik, që për disa vite të shërbejnë në Shqipëri dhe t’ia kthejë investimin këtij populli, duhet të paguajë tarifën e plotë dhe pastaj të shkojë ku të dojë. Tarifa e plotë nuk është ajo e vërteta përsëri”, tha Rama.

Ndërkohë nuk ka kursyer as batutat, teksa thotë:

“Ku e gjen në Gjermani kohën, vendin për të pirë një kafe dhe për të bërë lloj-lloj muhabetesh dhe të mbash nëpër gojë dynjanë shqip?! Ku e gjen?! Po të mos ishte një pjesë e ëmbël e jetës, nuk do ishin kafet plot… që të mos flas për ata që kafen e pëlqejnë turke. Keni parë në Gjermani si është kafja? Lëng gështenjash! Po flas për perspektivën dhe po flas me shumë besim sepse e kam të bazuar në gjerat që punojmë përditë.Viti i ri po vjen, dhe… s’keni parë gjë akoma”, shtoi ai.