Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar të gjithë tregtarët e shumicës që abuzojnë me çmimet e produkteve ushqimore që të njihen mirë me çfarë parashikon akti normativ i nxjerrë me masat speciale për luftën ndaj koronavirusit dhe të mos luajnë me popullin.

Në një postim në Facebook, kreu i qeverisë thotë se pasojat mbi tregtarët abuzues do të jenë shumë të rënda dhe nuk do t’i gëzojnë fitimet.

“U BËJ THIRRJE TË GJITHË TREGTARËVE TË SHUMICËS TË LEXOJNË AKTIN NORMATIV TË MASAVE SPECIALE TË LUFTËS DHE TË MOS LUAJNË ME POPULLIN, SEPSE PASOJAT QË DO TË BIEN MBI TA DO TË JENË SHUMË TË RËNDA, E NUK KANË PËR T’I GËZUAR LEKËT E ABUZIMEVE ME ÇMIMET NË KËTË KOHË LUFTE, KU S’KA HARAM QË DO IU BËHET HALLALL! KUSH I SHTRËNGON SHITËSIT E PAKICË TË BËJNË FATURA TË RREME KRYEN NJË PALIGJSHMËRI QË NË KËTË KOHË DO TË KONSIDEROHET KRIM DHE DO TË TRAJTOHET SI KRIM”, shkruan Rama.