Mali i Gramozit është një tjetër atraksion turistik i Kolonjës, që frekuentohet gjithnjë e më shumë nga alpinistët dhe të apasionuarit e hiking.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga alpinistët që janë ngjitur në malin e Gramozit.

“T’i ngjitesh malit të Gramozit është një befasi se si natyra e ka qëndisur relievin në atë mënyrë që ta admirosh në çdo pamje që të zbulon para syve”, shkruan Rama.

Mali i Gramozit me liqenin e tij akullnajor, monument natyre, në një lartësi prej 2523 metra mbi nivelin e detit është një nga atraksionet më të vizituara në Kolonjë.

Reshjet e borës dhe të shiut janë ushqimi kryesor i këtij ujëmbledhësi. Përreth ka bimësi të larmishme natyrore. Monumenti ka vlera shkencore, estetike e turistike.

Të apasionuarit pas lartësive, ngjiten në këto relieve të thyera për të ushtruar sportin e alpinizmit, të ecjeve malore dhe për të admiruar natyrën e rrallë të këtyre majave.